KI158/19, Parashtrues: Fatos Dervishaj, Verësim i kushtetutshmërisë së mosveprimeve të autoriteteve publike në lidhje me kërkesat e parashtruesit të kërkesës
KI158/19 Aktvendim për papranueshmëri, i 10 qershor 2020, publikuar më 24 korrik 2020
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, mosndërmarrja e veprimeve e autoriteteve publike, barazia para ligjit, mjetet efektive juridike, mbrojtja gjyqësore e të drejtave, mbrojtja e pronës, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese kontestoi kushtetutshmërinë e mosveprimeve të autoriteteve publike, përkatësisht të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Prokurorisë së Shtetit, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Avokatit të Popullit dhe Gjykatës Supreme, në lidhje me kërkesat e tij për paraqitjen e kallëzimit penal, përjashtimin e prokurores M.LL. dhe përgjegjësitë disiplinorë të prokurorëve, dërgimin e lëndës në kompetencë të Prokurorisë Speciale dhe heshtjeve administrative të këtyre autoriteteve.
Gjykata, pasi vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje kallëzimin penal, konsideroi se kërkesa e tij sa i përket këtij pretendimi duhej shpallur e pasafatshme pasi qe nga dita e pranimit të vendimit të fundit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kishin kaluar me tepër se katër (4) muaj deri në parashtrimin e kërkesës. Përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për përjashtimin e prokurores së rasti M.LL. dhe përgjegjësive disiplinore të prokuroreve, Gjykata konstatoi se nuk qëndronte fakti që autoritetet publike nuk kanë vepruar sepse të gjitha shkresave të tij iu ishin përgjigjur si Prokurori Themelor në Prishtine ashtu edhe Gjykata Supreme. Përkitazi me pretendimin se autoritetet publike nuk e kishin dërguar lëndën penale [PP.nr.65/17] për trajtim në Prokurorinë Speciale, Gjykata konsideroi se çështja e dërgimit të lëndës penale në fjalë në kompetencë të Prokurorisë Speciale për trajtim, ishte në kompetencën ekskluzive të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Tutje, Gjykata, bazuar në shkresat e lëndës, verëjti se kërkesa e parashtruesit të kërkesës për dërgimin e lëndës penale [PP. nr. 65/17] në kompetencë të Prokurorisë Speciale, bazohej thjeshtë në dyshimin e tij se prokurorja M.LL., e cila ishte e ngarkuar me lëndën, po e zvarriste zhvillimin e hetimeve dhe ngritjen e aktakuzës ndaj të dyshuarve M.G., V.I., D.R., M.B., N.H., G.X. dhe S.B-SH. Për me tepër, në lidhje me këtë pretendim parashtruesi i kërkesës pretendonte shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe Gjykata vërejti se ai vetëm i është referuar diskriminimit, duke mos shpjeguar se si kishte ardhur deri tek shkelja e kësaj të drejte, duke mos shpjeguar se çfarë ishte “trajtimi i ndryshëm, pa arsyetim objektiv dhe racional, i personave në situata relativisht të ngjashme”. Tutje, parashtruesi i kërkesës ankohej edhe për mosveprimet e Avokatit të Popullit, duke pretenduar në shkelje të nenit 54 dhe 132 të Kushtetutës dhe nenit 45 të Konventës Evropiane pre të Drejtat e Njeriut. Gjykata, pasi vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me procedurën e zhvilluar pranë Avokatit të Popullit, gjeti se nenet 54 dhe 132 të Kushtetutës nuk janë nene që në vete përmbajnë një të drejtë ose liri. Të dy nenet e mësipërme nuk janë pra nene që mund të interpretohen në mënyrë të pavarur nga dispozitat e tjera kushtetuese, të rëndësishme për këtë çështje. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i referohej shkeljes së nenit 32 [E drejta për Mjete Juridike], por nuk arsyetoi në asnjë mënyrë se nga çfarë mjeti juridik ishte privuar dhe kundër cilit vendim ai nuk pati mundësinë të paraqiste ndonjë mjet juridik, por i ndërlidhi të njëjtat pretendime me nenin 45 të KEDNJ-së, ku Gjykata konstatoi se neni 45 i KEDNJ-së, i cili bën pjesë në Titullin II [Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut] të KEDNJ-së, nuk mund të shërbejë si bazë për të ngritur një pretendim për shkelje të të drejtave të garantuara me KEDNJ para Gjykatës Kushtetuese, duke qenë se ky nen i referohet kompetencave të GJEDNJ-së përkitazi me procedurat e vendimmarrjes dhe jo kompetencave të gjykatave vendore, pjesë anëtare të mekanizmit mbrojtës të garantuar me KEDNJ (shih, ngjashëm Gjykata Kushtetueses, rasti KI108/18, parashtrues: Blerta Morina, Aktvendimi për papranueshmeri, i 5 shtatorit 2019, paragrafi 195).
Si përfundim, Gjykata në pajtueshmëri me nenet 20 dhe 49 të Ligjit, dhe rregullave 39 (1) (c), 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi të shpallë kërkesën e parashtruesit të kërkesës të papranueshme në të gjitha pjesët e saj.
Fatos Dervishaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit , Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale, Tjetër