KI36/20, Parashtrues: Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 10/2018, të 16 tetorit 2018
KI36/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 majit 2020, publikuar më 23 korrik 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, person juridik, qartazi e pabazuar,
Parashtruesi i kërkesës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kishin nënshkruar Marrëveshje të Partneritetit Publiko Privat (PPP), dhe bazuar në këtë marrëveshje parashtruesi i kërkesës kishte marrë obligim që të gjithë punëtorët t’i mbajë në marrëdhënie të punës edhe për 3 (tri) vite të tjera.
Si rrjedhojë, parashtruesi i kërkesës, e kishte njoftuar punëtoren M.H. se nuk do t’i përtërihet kontrata e punës. Punëtorja M.H. kishte parashtruar padi pranë gjykatës së shkallës së parë dhe padia e saj u aprovua. Në anën tjetër, parashtruesi i kërkesës pranë gjykatave të rregullta pretendonte se gjykatat e rregullta nuk kishin marrë për bazë nenin 9.18 të Marrëveshjes së PPP-së, sipas së cilës parashtruesi i kërkesës merr për obligim që punëtorët t’i mbajë në punë për 3 (tri) vite.
Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit Rev. nr. 10/2018, të 16 tetorit 2018, i kishte sqaruar parashtruesit të kërkesës se meqenëse punëtorja M.H. kishte më shumë se 10 (dhjetë) vite përvojë pune, në bazë të nenit 10.5 të Ligjit të Punës, konsiderohet si kontratë për një periudhë të pacaktuar kohore kështu që edhe për ndërprerjen e kontratës së punës duhet të respektohen procedurat e përcaktuara ligjore, procedura këto që sipas gjykatave të rregullta parashtruesi i kërkesës nuk i kishte respektuar.
Parashtruesi i kërkesës, në kërkesën e tij pranë Gjykatës Kushtetuese, pretendoi shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës për shkak të vendimit të paarsyetuar, si dhe neneve 24, 32 dhe 46 të Kushtetutës dhe përsëriti pretendimet e tij si pranë gjykatave të rregullta.
Gjykata Kushtetuese, duke i adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, konstatoi se ky i fundit dështoi të paraqesë prova, fakte dhe argumente që tregojnë se procedurat në gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, dhe Gjykata nuk u lëshua në shqyrtimin e pretendimeve të mëtejshme të parashtruesit të kërkesës për shkak që shkeljet e të drejtave të tjera të garantuara me nenet 24, 32 dhe 46 të Kushtetutës i pretendon si pasojë e shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Limak Kosovo International Airport SH.A. "Adem Jashari”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative