Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. nr. 204/2019, të 25 korrikut 2019

Nr. të lëndës KI 133/19

Parashtruesit: Nysret Tafili

Shkarko:

KI133/19, Parashtrues: Nysret Tafili, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. nr. 204/2019, të 25 korrikut 2019 

KI133/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 shkurtit 2020, publikuar më 10 korrik 2020

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, parimi i sigurisë juridike, divergjenca në praktikën gjyqësore, “dallime të thella dhe afatgjata”

  1. Në bazë të Kontratës [06. nr. 784-25] të 14 nëntorit 2008 të lidhur në mes të parashtruesit të kërkesës dhe Komunës së Kaçanikut ishte vazhduar e drejta për shfrytëzimin e përkohshëm të tokës ndërtimore nga ana e parashtruesit të kërkesës, ku për qëllim të ushtrimit të veprimtarisë së tij profesionale ishte i vendosur një objekt montues. Në bazë të nenit VI të Kontratës së lartcekur, ku ishte paraparë se nëse vjen deri tek ndryshimi i destinimit të lokacionit të dhënë në shfrytëzim të përkohshëm atëherë objekti do të largohet pa kurrfarë kompensimi. Më 1 prill 2009, Komuna e Kaçanikut përmes Vendimit [01. nr. 7311/o8] vendosi që të rrënohej objekti i lartcekur montues, i vendosur në pronën e dhënë për shfrytëzim të përkohshëm dhe i shfrytëzuar nga parashtruesi i kërkesës. Pas rrënimit të objektit, parashtruesi i kërkesës në ish-Gjykatën Komunale të Kaçanikut në emër të fitimit të humbur, kishte parashtruar padi për kompensim nga Komuna e Kaçanikut. Gjykata Themelore padinë e tij për kompensim e kishte refuzuar si të pabazuar. Rrjedhimisht, Gjykata e Apelit, si rezultat i ankesës së tij kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, duke e vërtetuar arsyetimin e Gjykatës Themelore ankesën e tij po ashtu e kishte refuzuar si të pabazuar. Në Aktgjykimin e saj, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar arsyetimin e dhënë përmes Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, i cili bazohej në Kontratën [06. nr. 784-25] e 14 nëntorit 2008, të nënshkruar në mes të parashtruesit të kërkesës dhe Komunës së Kaçanikut, në cilësinë e të paditurës. Gjykata e Apelit po ashtu konstatoi se parashtruesi i kërkesës përmes kësaj Kontrate i ka pranuar të gjitha të drejtat dhe detyrimet që dalin nga kjo kontratë. Si rezultat i kërkesës për revizion kundër dy aktgjykimeve të lartcekura të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të kontestuar [Rev. nr. 204/2019] të 25 korrikut 2019 duke konstatuar se këto dy aktgjykime nuk ishin të përfshira me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe se gjykatat e ulëta drejtë kishin zbatuar të drejtën materiale, revizionin e parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të pabazuar.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës në mënyrë specifike pretendoi se Gjykata Supreme në një rast tjetër, i cili sipas tij ngërthen rrethana faktike dhe juridike identike me ato të rastit të tij përmes Aktvendimit të saj kishte pranuar revizionin e palës tjetër. Në kontekst të këtij pretendimi, parashtruesi thekson se Gjykata Supreme, duke vendosur ndryshe në 2 (dy) raste identike ka shkelur të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të KEDNJ-së, përkatësisht parashtruesi i kërkesës në substancë pretendoi cenim të parimit të sigurisë juridike si rezultat i vendimeve kundërthënëse të Gjykatës

 

  1. Gjykata, në vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës konstatoi se sa i përket përmbushjes së kërkesave të pranueshmërisë, parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar që konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin Rev. nr. 204/19, të 25 korrikut 2019, të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, Gjykata pas aplikimit të kritereve mbi bazën e të cilave Gjykata dhe GJEDNJ trajton çështjet e divergjencës përkitazi me praktikën gjyqësore, duke filluar me vlerësimin nëse në rrethanat e rastit konkret, (i) divergjencat e pretenduara në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; dhe nëse ky është rasti, (ii) ekzistimin e mekanizmave të aftë për të zgjidhur divergjencën përkatëse; dhe (iii) vlerësimin nëse këta mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti në rrethanat e rastit konkret konstatoi se nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme që rrezikojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur vetëm në një Aktvendim të Gjykatës Supreme, të nxjerrë 4 (katër) muaj më herët. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe e deklaroi të papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Parashtruesit:

Nysret Tafili

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri