Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 9 korrik 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat: 1. KI 17/19; 2. KI 93/19; 3. KI 113/19; 4. KI 122/19 dhe 5. KI 140/19. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):
1. Aktvendim
Lënda: KI 17/19
Parashtrues: Zymer Neziri, Rexhep Doçi, Daut Bislimi, Xheladin Shala, Adem Zejnullahu, Exhlale Dobruna, Mehmet Ahmetaj
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Udhëzimit Administrativ [nr. 09/2015] për kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontributpagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve-stazhit pensional të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS). Parashtruesit e kërkesës pretendonin se Udhëzimi Administrativ i MPMS-së është në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 8 të Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, në nenin 47 të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 29 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që kërkesa të shpallet e papranueshme meqenëse nuk është dorëzuar nga një palë e autorizuar, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1)(a) të Rregullores së punës.
2. Vendim
Lënda: KI 93/19
Parashtrues: Valton Karaxhiu
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së akteve të pasfecifikuara të ndonjë autoriteti publik, me të cilat, sipas pretendimeve të parashtruesit, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 36 [E Drejta e Privatësisë] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 22.4 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në pajtim me rregullat 32 (2)(c) dhe (h), 35 (5) dhe 59 (3) të Rregullores së punës, kërkesa të refuzohet.
3. Aktvendim
Lënda: KI 113/19
Parashtrues: Islam Qerimi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së kërkesës së parashtruesit për interpretim të nenit 3 [Autorizimet e noterit dhe dokumentet noteriale] të Ligjit nr. 06/L–010 për Noterinë, të datës 26 dhjetor 2018, i cili, sipas pretendimeve të parashtruesit, shkel të drejtën e tij të garantuar me nenin 3 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që kërkesa të shpallet e papranueshme meqenëse nuk është dorëzuar nga një palë e autorizuar, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1)(a) të Rregullores së punës.
4. Aktvendim
Lënda: KI 122/19
Parashtrues: F.M.
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [PML.nr.49/2019], të datës 7 mars 2019, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [PA1.nr.358/2018], të datës 19 nëntor 2018 dhe me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë [P.nr.927/14], të datës 15 janar 2018. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me këto vendime i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe me nenin 7 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së, me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, si dhe me nenet 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Kërkesa bazohej në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (1)(d) e 39 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.
5. Aktvendim
Lënda: KI 140/19
Parashtrues: Lindita Komani
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit [AC–I–14–0383], të datës 13 prill 2017, me të cilin, sipas pretendimeve të parashtrueses, i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që kërkesa të shpallet e papranueshme, pasi që nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39.1 (c) dhe 59.2 të Rregullores së punës.