Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.53/2019, i 20 marsit 2019

Nr. të lëndës KI 115/19

Parashtruesit: Sadete Jusufi

Shkarko:

KI115/19, Parashtruesja e kërkesës: Sadete Jusufi, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.53/2019, të 20 marsit 2019

KI115/19, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 11 mars 2020, i publikuar më 22 prill 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë administrative, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit ngërthejnë një kontest pune, e që ndërlidhet me interpretimin e Udhëzimin Administrativ 17/2000 për Formimin e Bordit Qendror për aftësimin e specialistëve shëndetësor, bazuar në të cilin, parashtruesja e kërkesës në vitin 2001 kishte nënshkruar Kontratën për fillimin e specializimit, bazuar në të cilën, parashtruesja e kërkesës dhe tashmë, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, u dakorduan që në shkëmbim të përfundimit të specializimit brenda një periudhe 3 (tre) vjeçare të mbështetur nga një pagesë, parashtruesja e kërkesës ishte e detyruar të punojë 5 (pesë) vjet për shërbimin publik shëndetësor në Republikën e Kosovës. Pas përfundimit të specializimit në vitin 2005, parashtrueses së kërkesës kjo mundësi iu mohua. Ajo filloi procedurat gjyqësore në vitin 2014. Të tri instancat e gjykatave të rregullta, refuzuan padinë, ankesën dhe revizionin e parashtrueses së kërkesës, respektivisht, duke arsyetuar se padia fillestare e saj e vitit 2014, ishte e paafatshme. Parashtruesja e kërkesës e konteston këtë konstatim të gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të neneve 24 [Barazia para Ligjit] e 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës përkitazi me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata sqaroi se gjykatat e rregullta kishin trajtuar dhe sqaruar pretendimet e saj lidhur me (i) interpretimin e gabuar të Ligji të Punës së Bashkuar të vitit 1976 dhe i ndryshuar e plotësuar në vitin 1987, i aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret, e bazuar në nenin 224 të të cilit, padia e saj ishte shpallur si e paafatshme; dhe (ii) faktin se vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së saj, përpos që nuk iu kishte dorëzuar, ishte edhe në kundërshtim me rregullativën e aplikueshme ligjore. Gjykata gjithashtu sqaroi dallimet e rastit të saj, me Aktgjykimin e Gjykatës KI69/16 të 6 qershorit 2018, me parashtruese Nora Dukagjini-Salihu, e të cilit parashtruesja e kërkesës i referohet duke pretenduar mungesë të konsistencës në praktikë gjyqësore. Për pasojë, pretendimet e parashtrueses së kërkesës lidhur me shkeljen e neneve të lartcituara, u shpallën të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.

Ndërsa në vlerësimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës përkitazi me nenet 24, 32 dhe 49 të Kushtetutës, Gjykata (i) për sa i përket të parit, sqaroi se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesja e kërkesës nuk ka saktësuar asnjë pretendim përkitazi me ndonjë dallim në trajtim dhe rrjedhimisht nuk ka arsyetuar dhe as mbështetur pretendimet e saj për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës; (ii) për sa i përket të dytës, sqaroi se parashtruesja e kërkesës ka pasur mjet juridik efektiv në dispozicionin e saj dhe se lëshimi i afateve për dorëzimin e kërkesëpadisë e ankesave në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në pretendime të argumentueshme për shkeljen e kësaj të drejte; dhe (iii) për sa i përket të fundit, sqaroi se pretendimet e parashtrueses së kërkesës nuk ndërlidhen me mohimin e të drejtës në punë dhe ushtrim të profesionit, dhe se nuk ekziston asgjë në pretendimin e parashtrueses së kërkesës që do të arsyetonte konstatimin se janë shkelur të drejtat e saj kushtetuese të garantuara me këtë nen.

Rrjedhimisht, kërkesa u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe specifikohet më tej me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

 

 

 

Parashtruesit:

Sadete Jusufi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative