KI14/20, Parashtrues: Armend Thaqi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 425/2019, të 10 dhjetorit 2019
KI14/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 15 prillit 2020, publikuar më 4 maj 2020
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kompensim dëmi, kthim në gjendjen e mëparshme, kërkesë qartazi e pabazuar
Parashtruesit të kërkesës i kishte ndodhur një aksident në objektin e Kompanisë “I” në Ferizaj (ku kishte shkuar për të blerë auto-goma) me ç’rast pretendohet se ai kishte pësuar lëndime trupore. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi kundër Kompanisë “I” në Gjykatën Themelore në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), për kompensim të dëmit të shkaktuar si pasojë e aksidentit të lartcekur.
Gjykata Themelore, përmes Aktvendimit C.nr.795/15, vendosi se padia e parashtruesit të kërkesës konsiderohet e tërhequr pasi që as parashtruesi i kërkesës (në cilësi të paditësit) dhe as përfaqësuesi i tij, megjithëse ishin njoftuar në mënyrë të rregullt, nuk kishin marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor lidhur me padinë (të 21 marsit 2019, në ora 9:00) dhe nuk e kishin arsyetuar mungesën e tyre.
Përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës kishte bërë propozim për kthim në gjendjen e mëparshme. Gjykata Themelore, përmes Aktvendimit C.nr.795/15, refuzoi propozimin për kthim në gjendje të mëparshme me arsyetimin se ishin plotësuar kushtet ligjore për refuzimin e kërkesës për kthim në gjendjen e mëparshme. Ky Aktvendim ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës Kushtetuese se gjykatat e rregullta, duke mos i mundësuar kthimin në gjendjen e mëparshme, kanë bërë shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), të KEDNJ.
Pas shqyrtimi të pretendimeve, Gjykata gjeti se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur fakte që tregojnë se procedurat në gjykatat e rregullta, në ndonjë mënyrë, kanë shkaktuar shkelje të të drejtave të tij kushtetuese. Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe duhet të deklarohet e papranueshme.
Armend Thaqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile