Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit KMLC nr. 09/2018 të Prokurorit të Shtetit, të 2 marsit 2018 dhe Aktvendimit AC. nr. 3538/2017 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës, të 8 dhjetorit 2017

Nr. të lëndës KI 42/18

Parashtruesit: Asija Muslija

Shkarko:

KI42/18, Parashtruesja e kërkesës: Asija Muslija, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit të Prokurorit të Shtetit, KMLC nr. 09/2018, të 2 marsit 2018 dhe të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës, AC. nr. 3538/2017 të 8 dhjetorit 2017

KI42/18, Aktvendim për papranueshmëri i XX XX 2020, publikuar më 24 prill 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit të Prokurorit të Shtetit KMLC nr. 09/2018, dhe të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës, AC. nr. 3538/2017 të 8 dhjetorit 2017

Rasti konkret ndërlidhet me kontestimin e një kontrate kredie me Bankën ProCredit, të nënshkruar nga bashkëshorti i parashtrueses së kërkesës dhe vëllait të tij, kontratë kjo të cilën edhe parashtruesja e kërkesës e kishte nënshkruar në cilësinë e bashkë-huamarrëses. Në vitin 2016, duke marrë parasysh që kushtet e kredisë nuk ishin respektuar, ProCredit Banka kishte filluar procedurën përmbarimore kundër marrësve të kredisë përkatëse. Pas fillimit të procedurave përmbaruese, parashtruesja e kërkesës kishte ngritur padi ndaj bashkëshortit të saj dhe Bankës, lidhur me kontratën hipotekare në pronën në emër të bashkëshortit të saj dhe vëllait tij. Parashtruesja e kërkesës e pretendon pronësinë e saj në këtë pronë, dhe gjithashtu pretendon të mos e ketë nënshkruar kontratën hipotekare. Përmes padive të lartcekura, parashtruesja e kërkesës, kishte kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme të sigurimit. Janë procedurat që ndërlidhen me këtë masë, të cilat u kontestuan para Gjykatës.  Meritat e çështjes janë në procedurë e sipër në Gjykatën përkatëse Themelore.

Masa e sigurimit ishte vendosur fillimisht nga Gjykata Themelore, por pas kundërshtimit të Bankës, e njëjta ishte anuluar. Gjykata e Apelit kishte konfirmuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për masën e përkohshme të sigurimit, ndërsa, Prokurori i Shtetit gjithashtu kishte refuzuar propozimin e parashtrueses së kërkesës për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit.  Janë këto dy vendime, Aktvendimi i Gjykatës së Apelit dhe Njoftimi i Prokurorit të Shtetit, respektivisht, që parashtruesja e kërkesës pretendon të jenë nxjerrë në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e saj themelore, duke pretenduar shkelje të (i)  nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së arsyetimit të Njoftimit të Prokurorit dhe mos-vërtetimit të fakteve nga Gjykata e Apelit; (ii) nenit 5 të Kushtetutës, për shkak të mos dorëzimit të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit në gjuhën e saj amtare; dhe (iii) nenit 24 të Kushtetutës.

Duke marrë parasysh që procedurat e kontestuara para Gjykatës, në kontekst të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërlidhen me një masë të përkohshme, përkatësisht, me “procedura paraprake”, Gjykata bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, fillimisht shqyrtoi nëse pretendimet përkatëse ishin ratione materiae në pajtim me Kushtetutën. Gjykata, pas shtjellimit dhe aplikimit të parimeve themelore të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në këtë aspekt, konstatoi se ky është rasti, përkatësisht se garancitë procedurale të neneve të lartcekura janë të aplikueshme.

Më tej, pretendimet e parashtrueses së kërkesës, përkitazi me (i) shkeljet e nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata i trajtoi në ndërlidhje me pretendimet e saj për shkelje të nenit 5 të Kushtetutës; ndërsa (ii) Njoftimin e Prokurorit të Shtetit dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, respektivisht, Gjykata i vlerësoi veç e veç.

Përkitazi me Njoftimin e Prokurorit të Shtetit, Gjykata (i) shtjelloi dhe aplikoi parimet e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me nivelin e aplikueshmërisë së garancive që ndërlidhen me vendimin e arsyetuar gjyqësor në njoftime të tilla të Prokurorit të Shtetit; dhe (ii) sqaroi dispozitat Kushtetuese dhe ligjore që ndërlidhen me përdorimin e gjuhës, e cila nuk është gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës, në procedurat para gjykatave. Në këtë kontekst, Gjykata konkludoi se (i) Njoftimi i Prokurorit të Shtetit ka përmbushur detyrimin kushtetues për të ofruar një vendim të “mjaftueshëm të arsyetuar” gjyqësor në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (ii) pretendimet për mos-shqyrtim të provave dhe dëshmive nga ana e Prokurorit të Shtetit nuk qëndrojnë ngase ky i fundit është i mveshur me diskrecionin për ngritjen ose jo të kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë; dhe (iii) vlerësimi i Prokurorit të Shtetit se parashtruesja e kërkesës ka mundur të kërkojë përkthimin e Aktvendimit të Gjykatës së Apelit dhe se nuk e ka bërë një gjë të tillë, qëndron. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkeljen e neneve 5 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Përkitazi me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, Gjykata sqaroi dhe konstatoi se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Në fund dhe përkitazi me pretendimet për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të saj të garantuara përmes nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata theksoi se pretendimet apo ankesat e paarsyetuara dhe të pambështetura me argumente e prova, bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shpallen të papranueshme si qartazi të pabazuara, bazuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Asija Muslija

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri