Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, E. Rev. nr. 6/2019, të 15 prillit 2019

Nr. të lëndës KI 85/19

Parashtruesit: Bujar Shabani

Shkarko:

KI85/19, Parashtruesi i kërkesës: Bujar Shabani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, E. Rev. nr. 6/2019, të 15 prillit 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme, masë e përkohshme, kërkesë për seancë dëgjimore

Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, i cili pretendohet të ketë shkelur të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 21 [Parimet e përgjithshme], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) dhe nenit 6 (E Drejta për një proces të rregullt) dhe nenit 1 Protokolli 1 (Mbrojtja e Pronës) të Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (në tekstin në vijim: KEDNJ).

Parashtruesi i kërkesës pretendon se nuk i është mundësuar një “gjykim i drejtë” sipas nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6, paragrafi 1 të KEDNJ-së për shkak të: (i) mungesës së skajshme të arsyetimit të vendimit gjyqësor; (ii) vendosjes arbitrare në kundërshtim me të gjitha të gjeturat e ekspertizës gjyqësore financiare duke vendosur lidhur me lartësinë e kërkesës së palës së interesuar; (iii) mosinformimit lidhur me seancën e shqyrtimit të revizionit dhe gjithashtu mosinformimit të ekspertit gjyqësor nga lëmia ekonomike dhe financiare i cili do të kishte mundur të japë sqarime lidhur me të gjeturat e tij.

Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se në kuptim të së drejtës në vendim të arsyetuar gjyqësor të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së, është detyrim i gjykatave që argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës të adresohen dhe arsyet e dhëna të jenë të bazuara në ligjin e aplikueshëm. Gjykata konstatoi se sa i përket pretendimit konkret, gjykatat e rregullta dhe Gjykata Supreme, Aktgjykimi i të cilit kontestohet në Gjykatë, e kanë përmbushur këtë detyrim.

Sa i përket pretendimit të dytë se Gjykata Supreme kishte vendosur arbitrarisht në ndërshtim me të gjitha të gjeturat e ekspertizës gjyqësore financiare duke vendosur lidhur me lartësinë e kërkesës së palës së interesuar, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta, respektivisht Gjykata Supreme, si instancë përfundimtare e gjyqësorit të rregullt ka dhënë arsye gjithëpërfshirëse dhe të detajuar dhe i është përgjigjur veç e veç secilit pretendim të ngritur nga parashtruesi i kërkesës në revizion.

Gjykata gjithashtu vëren se parashtruesi i kërkesës pati një mundësi efektive për të kundërshtuar vërtetësinë e provave dhe për të kundërshtuar përdorimin e tyre dhe se këtë mundësi e shfrytëzoi gjatë procedurës para gjykatës së shkallës së parë, në ankesën e tij në Gjykatën e Apelit dhe në revizion para Gjykatës Supreme. Gjykatat e rregullta i shqyrtuan argumentet e tij mbi bazueshmërinë dhe dhanë arsye për vendimet e tyre. Fakti që parashtruesi i kërkesës ishte i pasuksesshëm në secilin hap nuk e ndryshon faktin që ai pati një mundësi efektive për të kundërshtuar provat dhe përdorimin e tyre.

Ndërsa në rrethanat e rastit konkret, sa i përket pretendimit të tretë të parashtruesit, Gjykata konsideron që mosinformimi lidhur me seancën e shqyrtimit të revizionit, përkatësisht vendosja e Gjykatës Supreme mbi revizionin vetëm në bazë të shkresave në dosje të lëndës, në seancë të trupit gjykues është në përputhje me nenin 22o të Ligjit për Procedurën Kontestimore dhe gjithashtu është në linjë me praktikën e GJEDNJ-së e cila ka zbatim të drejtpërdrejtë në jurisdiksionin e Kosovës. 

Përfundimisht, duke u bazuar në elaborimet e mësipërme, Gjykata vlerëson se në rrethanat e rastit konkret procedurat ishin të drejta dhe nuk konsistojnë në marrjen e një vendimi të paarsyetuar dhe arbitrar. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se nuk ka shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së.

Si përfundim, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka ofruar fakte që do të tregonin se vendimet e gjykatave të rregullta në ndonjë mënyrë kanë shkaktuar shkelje kushtetuese të të drejtave të tij të garantuara edhe me nenet 24 dhe 46 të Kushtetutës.

Prandaj, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me rregullin 39 paragrafi (2) të Rregullores së punës.

Sa i përket kërkesës për seancë dëgjimore, Gjykata rikujton se ajo mund të urdhërojë mbajtjen e seancës dëgjimore në rastet kur ajo beson se është e nevojshme për të qartësuar çështjet e provave apo ligjit. Në rrethanat e rastit konkret, kjo nuk ishte situata sepse Gjykata nuk konsideron se ka ndonjë paqartësi rreth ”provave apo ligjit” dhe për këtë arsye nuk e sheh të nevojshme mbajtjen e seancës dëgjimore.

Përfundimisht sa i përket kërkesës së parashtruesit të kërkesës për vendosjen e masës së përkohshme përmes së cilës do të ndalohej pagesa e shumës për të cilën detyrohej deri në vendosjen meritore të çështjes nga kjo Gjykatë, kjo kërkesë për masë të përkohshme u refuzua sepse e njëjta nuk mund të jetë objekt shqyrtimi, pasi kërkesa deklarohet e papranueshme, si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Bujar Shabani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri