Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 22 janar 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KI 175/18; 2. KI 189/18 dhe 3. KO 197/19.
Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të aktvendimeve dhe të aktgjykimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):
1. Aktvendim
Lënda: KI 175/18
Parashtrues: Fllanza Kadiu
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 181/2018], të datës 13 qershor 2018, me të cilin parashtruesja pretendonte se i ishin shkelur të drejtat dhe liritë e saj të garantuara me nenet: 3 [Barazia para ligjit], 7 [Vlerat], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare], 24 [Barazia para ligjit], 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] dhe 53 [Interpretimi i dispozitave për të drejtat e njeriut] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 22 [Procedimi i kërkesës] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 32 (6) dhe 39 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.
2. Aktvendim
Lënda: KI 189/18
Parashtrues: Osman Mazreku
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac.nr. 3034/18], të datës 6 shtator 2018, me të cilin parashtruesi pretendonte se i ishin shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.
3. Aktvendim
Lënda: KO 197/19
Parashtrues: Gjyqtarët e Departamentit për Krime të Rënda, Gjykata Themelore në Prishtinë
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së nenit 42, paragrafi 4, të Ligjit nr. 06/L-054 për Gjykatat, për të cilin pretendohej se është në kundërshtim me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në nenin 113.8 të Kushtetutës, në nenet 51, 52 dhe 53 të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 77 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.8 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 51 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (1)(a) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.