Analizohen standardet e GJEDNJ-së për procedimin e rasteve

22.11.2019

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë organizuan tryezën e rrumbullakët në temën: “Parimet dhe Metodologjia e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, e cila u mbajt të enjten dhe të premten, më 21 dhe 22 nëntor 2019, në Hotel “Garden” në Prishtinë.

Procedimi i rasteve në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), metodat administrative të GJEDNJ-së, subsidiariteti dhe aplikimi i metodave të GJEDNJ-së nga gjykatat kombëtare, ishin vetëm disa prej temave që u diskutuan në këtë tryezë me gjyqtarë dhe këshilltarë të Gjykatës Kushtetuese.

Panelistë dhe moderator të tryezës ishin: Dr. Kanstantsin Dzehtsiarou, ligjërues i së drejtës në katedrën e Fakultetit Juridik të Universitetit të Liverpulit në Angli dhe z. Velimir Delovski, ekspert i të drejtave të njeriut nga Republika e Maqedonisë.

Tryeza e rrumbullakët u organizua në kuadër të projektit të mbështetur nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe nga ambasada e Norvegjisë në Kosovë, që synon avancimin e kapaciteteve profesionale të Gjykatës Kushtetuese me qëllim të zbatimit më efektiv të standardeve evropiane në trajtimin e ankesave individuale dhe komunikimin me publikun.