KI73/19 Parashtrues: Hamzë Fekaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, AA.nr.506/2018, të 12 shkurtit 2019
KI73/19 Aktvendim për papranueshmëri, i 8 tetorit 2019, publikuar më 6 nëntor 2019
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, procedurë civile, barazi para ligjit, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës e kontestoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, AA.nr.506/2018, të 12 shkurtit 2019, me të cilin pretendonte se i janë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenin 3 të Kushtetutës. Gjykata vërejti se pretendimet e parashtruesit të kërkesës kishin të bënin me dy çështje: e para, sipas parashtruesit gjykatat e rregullta shkelen të drejtat e tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], për shkak se ato nuk i analizuan mirë provat dhe nuk i zbatuan drejtë dispozitat e Ligjit 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe e dyta, sipas parashtruesit të kërkesës dispozitat e ligjit në fjalë janë diskriminuese dhe rrjedhimisht jokushtetuese, sepse e drejta në pension kontributpagues i njihet vetëm një kategorie të punëtoreve, përkatësisht arsimit, ndërsa kategorive të tjera (të cilët kanë punuar në vitet 1990 -1999), iu mohohet.
Sa i përket çështjes se parë, Gjykata vërejti se kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës ishte refuzuar për arsye se i njëjti nuk kishte dëshmuar, me prova, se ai në bazë të ligjit të zbatueshëm i plotësonte kushtet e kërkuara për njohjen e të drejtës së kërkuar me kërkesëpadi. Në këtë këndvështrim, Gjykata konsideroi se vendimet e gjykatave të rregullta nuk përmbanin elemente të shkeljes së barazisë para ligjit, përkatësisht elemente të trajtimit të pabarabartë, siç pretendonte parashtruesi i kërkesës. Për më tepër, asnjë nga bazat e kërkuara të nenit 3 të Kushtetutës nuk e mbështesin pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e kësaj të drejte, sepse ai nuk dëshmoi se gjykatat e rregullta e trajtuan atë në mënyrë të pabarabartë në krahasim me individë apo kategori individësh të tjerë, që gjendeshin në rrethana apo situatë të njëjtë me parashtruesin.
Sa i përket çështje së dytë, se dispozitat e Ligjit 04/L-131 janë diskriminuese, sepse me të njëjtat vetëm disa kategorive të “caktuara” dhe jo të “gjithave” iu njihet përvoja e punës, përkatësisht njohja e kontributeve pensionale të moshës, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës këtë pretendim nuk ka mundur të ngrejë drejtpërdrejtë në Gjykatën Kushtetuese. Në fakt, kjo e drejtë e kontestimit të kushtetutshmërisë se një dispozite të një ligji është e paraparë me dispozita të tjera kushtetuese, përkatësisht me nenin 113.8 të Kushtetutës (nëpërmjet të ashtuquajturit “kontrolli incidental i kushtetutshmërisë”).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata arriti në përfundim se kërkesa e parashtruesit të kërkesës: përkitazi me pretendimin e parë, se gjykatat e rregullta nuk analizuan mirë provat dhe nuk zbatuan drejtë ligjin e aplikueshëm, me ç’rast shkelën të drejtat e tij të mbrojtura me nenin 3 [Barazia para Ligjit], të Kushtetutës, në baza kushtetuese, duhet të shpallet e papranueshme, si qartazi e pabazuar, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës; përkitazi me pretendimin e dytë, se dispozitat e Ligjit 04/L-131 janë diskriminuese, kërkesa duhet të shpallet gjithashtu e papranueshme, sepse parashtruesi i kërkesës nuk e përmbushë kriterin e palës së autorizuar, siç kërkohet me nenin 113, paragrafin 1. të Kushtetutës dhe me rregullin 39, nënrregullin (1), shkronjën (a) të Rregullores se punës.
Hamzë Fekaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa nuk është paraqitur nga një palë e autorizuar, Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile, Administrative