Konferencë ndërkombëtare me rastin e 10-vjetorit të themelimit të Gjykatës

25.10.2019

Me rastin e shënimit të Vitit të 10-të Gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në hotelin “Emerald” në Prishtinë, të enjten, më 24 tetor 2019, u mbajt Konferenca ndërkombëtare në temën: “Sigurimi i sundimit të ligjit dhe i të drejtave të njeriut përmes mekanizmave të drejtësisë kushtetuese: Sfidat e shekullit 21”.

Konferencën e shpalli të hapur kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, e cila gjatë diskutimit të saj, ndër të tjera tha se, “sundimi i ligjit është parakusht i padiskutueshëm për mbrojtjen e vlerave kushtetuese mbi të cilat është themeluar dhe ndërtuar Republika e Kosovës, dhe mbi të cilat kjo e fundit duhet të përforcohet dhe zhvillohet në dekadat që do të pasojnë”.  Sipas kryetares Rama-Hajrizi, “sfidat e shekullit 21, me të cilat ballafaqohen gjykatat që mbartin përgjegjësinë e vendosjes përfundimtare të drejtësisë kushtetuese, janë sfida me të cilat nuk janë përballur më parë dhe paraqesin risi në mënyrën se si ndërlidhen të drejtat e njeriut me sundimin e ligjit”. Në vazhdim të konferencës me prezantimet e tyre u paraqitën: z. Jean-Claude Wiwinius, kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Luksemburgut, Prof. dr. Bekim Sejdiu, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, z. Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, z. Hilmi Jashari, Avokat i Popullit, si dhe gjyqtarët e gjykatave kushtetuese të Malit të Zi, të Republikës Çeke, të Maqedonisë së Veriut, të Portugalisë dhe të Turqisë.