KI24/19 Parashtrues: Valon Miftari, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 276/18, të 10 shtatorit 2018
KI24/19 Aktvendim për papranueshmëri, i 25 shtatorit 2019, publikuar më 15 tetor 2019
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, procedurë kontestimore, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës, në këtë rast pretendoi se Gjykata Supreme me Aktvendimin e kontestuar, Rev. nr. 276/2018, të 10 shtatorit 2018, duke hedhur poshtë padinë e tij si të paafatshme, ka shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 31 dhe 54 të Kushtetutës, si dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Nga shkresat e lëndës, Gjykata vërejti se gjykatat e rregullta hodhën poshtë padinë e parashtruesit të kërkesës për arsye procedurale, pasi vlerësuan se nuk ishin përmbushur kriteret e lejueshmërisë për shqyrtim meritor, për shkak se padia ishte ushtruar jashtë afatit kohor të paraprë me ligjet në fuqi. Gjykata në këtë rast vlerësoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës, në fakt kishin të bënin me mënyrën se si gjykatat e rregullta në rastin e tij interpretuan dispozitat përkatëse të ligjit procedural, andaj, Gjykata konsideroi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës ngrenë çështje të ligjit (ligjshmërisë) të cilat ishin domen i gjykatave të rregullta dhe jo i Gjykatës Kushtetuese. Mbi këtë bazë, Gjykata konsideroi se vendimet e gjykatave të rregullta ishin të arsyetuara dhe se procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, nuk kanë qenë në ndonjë mënyrë të padrejta apo arbitrare (shih rastin e GJEDNJ-së Shub kundër Lituanisë, nr. 17064/06, Aktgjykim i 30 qershorit 2009).
Si përfundim, Gjykata konsideroi se kërkesa, në baza kushtetuese është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi i kërkesës nuk dëshmoi dhe nuk i mbështeti në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij për shkeljen e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe Konventë. Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, ajo u shpall e papranueshme.
Valon Miftari
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile