KI205/18 Parashtrues: Elmi Dragusha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktvendimeve të Gjykatës Supreme, Pml. nr. 197/18, të 1 tetorit 2018 dhe Pml. nr. 261/2018, të 16 tetorit 2018
KI205/18 Aktvendim për papranueshmëri, i 5 shtatorit 2019, publikuar më 26 shtator 2019
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, procedurë penale, rishikim i procedurës penale, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme.
Parashtruesi i kërkesës pretendonte se gjykatat e rregullta shkelën të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, si rezultat i shkeljes së të drejtës materiale, ngritjes së aktakuzës dhe dënimit kundër tij pa fakte dhe prova të mjaftueshme, dhe paragjykimit të rastit nga gjyqtarja e gjykatës së shkallës së parë.
Fillimisht, Gjykata vërejti se kërkesa e parashtruesit kishte të bënte me dy lloje procedurash gjyqësore, atë të rregullt (gjykimi për fajësinë), me të cilën parashtruesi i kërkesës u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale në kundërshtim me nenin 320 të KPRK-së, dhe kërkesën për rishikimin e procedurës penale, ushtruar kundër aktgjykimeve me të cilat u shpall fajtor dhe u dënua.
Në lidhje me procedurën e rregullt penale, Gjykata konsideroi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm janë qartazi të pabazuara, sepse në asnjë mënyrë Gjykata nuk mund të konstatojë se Aktvendimi i Gjykatës Supreme, me të cilën ishte hedhur poshtë kërkesa e tij për shkaqe procedurale shkelë në ndonjë mënyrë të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës.
Ndërsa në lidhje me rishikimin e procedurës penale, Gjykata duke iu referuar praktikës së saj dhe të GJENDNJ-së, përsëriti qëndrimin e saj se në të gjitha rastet kur kërkesa për rishikimin e procedurës penale refuzohet, si e pabazuar ose hedhet poshtë për shkaqe procedurale, nga të gjitha instancat e rregullta gjyqësore, neni 31 i Kushtetutës, në dritën e interpretimit të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk është i zbatueshëm.
Si përfundim, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurave të rregullta duhet të deklarohet e papranueshme, si qartazi e pabazuar, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, si dhe kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë në lidhje me kërkesën për rishikimin e procedurës penale, duhet të deklarohet gjithashtu e papranueshme, në pajtim me rregullin 39 (3) (b) të Rregullores së punës.
Elmi Dragusha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës
Penale