Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. nr. 261/2018, të 30 tetorit 2018

Nr. të lëndës KI 200/18

Parashtruesit: Sokol Haziraj

Shkarko:

KI200/18 Parashtrues: Sokol Haziraj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 261/2018, të 30 tetorit 2018

KI200/18 Aktvendim për papranueshmëri, i 4 shtatorit 2019, i publikuar më 26 shtator 2019

Fjalët kyqe: Kërkesë individuale, revizioni i palejuar, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme, me Aktvendimin e kontestuar, Rev. nr. 261/2018, duke refuzuar kërkesën e tij për revizion si të palejuar, i ka shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 32 të Kushtetutës, ne lidhje me nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke konsideruar se rasti i tij si ndërhyrës në procedurë kontestimore, nuk është shqyrtuar në mënyrë të drejtë nga gjykatat e rregullta.

Në këtë kuptim, Gjykata konsideroi se pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, të cilat i kishte ngritur në Gjykatën e Apelit nëpërmjet ankesës dhe në Gjykatën Supreme, nëpërmjet kërkesës për revizion, gjykatat në fjalë i janë përgjigjur në mënyrë gjithëpërfshirëse duke arsyetuar në detaje konkluzionet e tyre. Në këtë rast gjykatat e rregullta vlerësuan se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë marrë parasysh edhe nga Gjykata e Qarkut, e cila vlerësoi se ankesat e ushtruara nga paditësi J. G. dhe parashtruesi i kërkesës ishin të pabazuara, duke vërtetuar kështu Aktgjykimin C. nr. 397/2006 të Gjykatës Komunale Prishtinë, të 22 dhjetorit 2009. Më tej, gjykatat vlerësuan se paditësi dhe parashtruesi i kërkesës kundër vendimit të Gjykatës së Qarkut, Ac. nr. 240/2010 të 14 majit 2010, kishin shterur edhe mjetin e jashtëzakonshëm juridik, revizionin, dhe në këtë rast Gjykata Supreme me Aktgjykimin  Rev. Mlc. nr. 217/2010 të 16 prillit 2010, kishte hedhur poshtë si të palejuar kërkesën e parashtruesit, ndërsa kërkesa për revizion e ushtruar nga paditësi J. G. ishte refuzuar si e pabazuar.

Andaj, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës, ka pasur mundësi të mjaftueshme që para gjykatave të rregullta t’i prezantojë të gjitha pretendimet për shkelje të të drejtave të tij. Për më tepër, Gjykata konsideroi se argumentet e tij janë dëgjuar në mënyrë të rregullt dhe janë shqyrtuar në mënyrë të duhur nga gjykatat e rregullta.

Si përfundim, Gjykata konsideroi se kërkesa, në baza kushtetuese është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij për shkeljen e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe Konventë. Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, ajo duhet të deklarohet e papranueshme.

Parashtruesit:

Sokol Haziraj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale