Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit C. nr. 180/08, të 19 shtatorit 2014 dhe Aktgjykimit C. nr. 203/18, të 5 shtatorit 2018, të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Dega në Gllogoc

Nr. të lëndës KI 39/18

Parashtruesit: Bujar Hoti

Shkarko:

KI39/18 Parashtrues: Bujar Hoti, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit C. nr. 180/08, të 19 shtatorit 2014 dhe Aktgjykimit C. nr. 203/18, të 5 shtatorit 2018, të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Dega në Gllogoc 

KI39/18 Aktvendim për papranueshmëri, i 4 shtatorit 2019, i publikuar më 24 shtator 2019

Fjalët kyqe: Kërkesë individuale, çështje civile, mos shterrje e mjeteve juridike

Parashtruesi i kërkesës pretendon se me vendimet gjyqësore të kontestuara atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.

I tërë pretendimi i parashtruesit të kërkesës bazohet në faktin se, sipas tij, ai kishte lidhur një kontratë shitblerjeje me personin M.K. për një banesë banimi që gjendej në Gllogoc, nën kërcenim dhe me dhunë.

Parashtruesi i kërkesës kishte filluar më 29 nëntor 2001 procedurat administrative në Komisionin për Çështje Banesore dhe Pronësore (KÇBP) të UNMIK-ut i cili kishte refuzuar ta trajtojë çështjen duke e deleguar tek gjykata kompetente vendore.

Gjykatat vendore kishin nxjerrë një numër vendimesh për çështjen kryesisht të atilla që nuk vendosën meritat e rastit por trajtuan çështje procedurale.

Përfundimisht më 5 shtator 2018, Gjykata Themelore në Prishtinë-Dega në Gllogoc vendosi për meritat e kërkesës mbi bazën e padisë së plotësuar nga parashtruesi i kërkesës dhe  me Aktgjykimin C. nr. 203/18 e refuzoi si të pathemeltë kërkesëpadinë.

Kundër këtij Aktgjykimi, parashtruesi i kërkesës më 26 shtator 2018 paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit dhe bazuar në  shkresat e kërkesës, Gjykata nuk mund të konstatojë se lidhur me ankesën të jetë marrë ndonjë vendim gjyqësor.

Për arsyet e përmendura më lart, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit nuk i plotëson kriteret për pranueshmëri pasi që parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar mjetet juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 par. 2 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës.

Në rrethanat e rastit, kur kërkesa e parashtruesit është e parakohshme, Gjykata nuk mund të shqyrtojë pretendimin për shkelje të së drejtës së pronës aq më tepër kur çështja pronësore është objekt shqyrtimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Si përfundim, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 par. 2 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit u shpall e papranueshme për shkak të mosshterjes paraprake të mjeteve juridike nga parashtruesi i kërkesës.

Parashtruesit:

Bujar Hoti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile