Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 4 shtator 2019, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KI 113/18, KI 114/18 dhe KI 115/18; 2. KI 147/18; 3. KI 200/18; 4. KI 07/19; 5. KI 44/19; 6. KI 46/19; 7. KI 114/19 dhe 8. KO 124/19.
Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të aktvendimeve dhe të aktgjykimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):
1. Aktvendim
Lënda: KI 113/18, KI 114/18 dhe KI 115/18
Parashtrues: Halim Thaqi, Ramadan Grajqevci dhe Enver Hajrizi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së 3 aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të nxjerra ndërmjet 17 janarit dhe 28 marsit 2018, me të cilat pretendohej se ishin shkelur të drejtat e parashtruesve të kërkesës të garantuara me nenet 3 [Barazia para ligjit], 24 [Barazia para ligjit], 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], 46 [Mbrojta e pronës], dhe 54 [Mbrojta gjyqësore e të drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe të drejtat e parashtruesve të kërkesës të garantuara me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe nenet 7 dhe 10 të Deklaratës Universale për të Drejta të Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121), dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata konstatoi se:
Kërkesat KI113/18 dhe KI114/18 nuk janë dorëzuar brenda afatit ligjor dhe se në mbështetje të nenit 113.7 të Kushtetutës, të nenit 20 të Ligjit dhe të rregullave 39 (1) (c) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesat janë të papranueshme;
Kërkesa KI115/18 është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, është e papranueshme.
2. Aktvendim
Lënda: KI 147/18
Parashtrues: Arbër Hadri
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit (06/375) të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës për rekomandimin e kandidatëve për zgjedhjen e Drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, të datës 22 maj 2018, dhe Vendimit (Nr.06-V-151) të Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e Drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, të 6 qershorit 2018. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me këto vendime i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para ligjit], 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] dhe 45 [Të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121), dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj dhe në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 47.2 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në pajtim me rregullin 39 (1)(b) të Rregullores së punës, vendosi ta deklarojë kërkesën të papranueshme.
3. Aktvendim
Lënda: KI 200/18
Parashtrues: Sokol Haziraj
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 261/2018], të datës 30 tetor 2018, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 32 [E drejta për mjete efektive juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe Protokollin nr. 7 të saj.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121), dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në mbështetje të nenit 113.7 të Kushtetutës, të nenit 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në pajtim me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi ta deklarojë kërkesën të papranueshme.
4. Aktvendim
Lënda: KI 07/19
Parashtrues: Shemsi Hajrizi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit për pezullim të marrëdhënies së punës, të datës 19 tetor 2016. Parashtruesi i kërkesës nuk kishte qartësuar saktësisht se, cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës i janë cenuar përmes vendimit të kontestuar. Kërkesa bazohej në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj dhe në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 47.2 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në pajtim me rregullin 39 (1)(b) të Rregullores së punës, vendosi ta deklarojë kërkesën të papranueshme.
5. Vendim
Lënda: KI 44/19
Parashtrues: Ymer Kubati
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac. nr. 3072/18], të datës 25 shkurt 2019, me të cilin pretendohej se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e tij në kundërshtim me Ligjin për Faljen e Borxheve Publike dhe Ligjin për Procedurë Përmbarimore. Parashtruesi i kërkesës nuk ka specifikuar se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës i janë cenuar përmes aktvendimit të kontestuar.
Kërkesa bazohej në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 47 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, vendosi ta refuzojë kërkesën.
6. Aktvendim
Lënda: KI 46/19
Parashtrues: Naser Husaj
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme [Rev. nr. 363/18], të datës 13 nëntor 2018, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja gjyqësore e të drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi ta deklarojë kërkesën të papranueshme.
7. Aktvendim
Lënda: KI 114/19
Parashtrues: Nazim Krasniqi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme [Rev. nr. 45/219], të datës 7 mars 2019, të ndërlidhur me aktvendimin e Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 3225/2018], të datës 14 shtator 2018, dhe me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [Ac.nr.5330/2012], të datës 17 mars 2015. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me këtë vendim i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese të garantuara me nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare], me nenin 24.2. [Barazia para ligjit] dhe me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe të drejtat e garantuara me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe me nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121) dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 56 [Kërkesa për masë të përkohshme] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (1)(c), (3)(b) dhe 57 (1) të Rregullores së punës, vendosi ta deklarojë kërkesën të papranueshme.
8. Aktvendim
Lënda: KO 124/19
Parashtrues: Kryeministri (në dorëheqje) i Republikës së Kosovës
Objekt i çështjes së kërkesës ishte interpretimi i aktit të dorëheqjes së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe definimi i kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë, pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit.
Kërkesa bazohej në paragrafin 10 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], në lidhje me nenin 113 [Jurisdiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
– Gjykata konkludoi se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e jurisdiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, dhe me rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, Gjykata njëzëri vendosi:
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme.