KI145/18, Parashtruesit: Shehide Muhadri, Murat Muhadri dhe Sylë Ibrahimi; Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, AC. nr. 530/2016, të 18 qershorit 2018
KI145/18, Aktgjykimi i miratuar më 19 korrik 2019 dhe i publikuar më 15 gusht 2019
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë civile, barazia para ligjit, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë e pranueshme, shkelje e nenin 31 të Kushtetutës.
Parashtruesit e kërkesës pretenduan se gjykatat e rregullta, duke mos ua njohur të drejtën e pronësinë mbi paluajtshmëritë kontestuese, kanë bërë shkelje të barazisë para ligjit, dhe të nenit 6 të Konventës, sepse “…nga e njëjta bazë juridike si refugjatë të Republikës së Shqipërisë, në të njëjtën kohë, iu është dhënë në shfrytëzim paluajtshmëria (shtëpi dhe tokë), nga e njëjta gjykatë iu është njohur pronësia familjes F. I. nga fshati Babush i Muhaxherëve, nga e njëjta bazë iu është dhënë edhe familjes së E. M., A. M., A. M., A. M. dhe F. D. që të gjithë nga fshati Bregu i Zi i K. Lipjan, pastaj familjes Bresa nga Gracka e Vogël K. Lipjan”. Në mbështetje të pretendimit të tyre, parashtruesit, kërkesës ia kanë bashkëngjitur tre aktgjykime të ish Gjykatës Komunale në Prishtinë C. nr. 164/2003, të 25 shkurt 2003, C. nr. 146/2009, të 12 nëntor 2007 dhe C. nr. 98/2010, të 21 janar 2014.
Gjykata fillimisht vlerësoi nëse kërkesa e parashtruar i plotësonte kushtet e pranueshmërisë, siç janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe që janë të saktësuara më tej në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe në Rregulloren e punës të Gjykatës. Gjykata konsideroi se Gjykata e Apelit nuk e kishte adresuar fare pretendimin e parashtruesve, të cilët kërkuan qe rasti i tyre të trajtohej ngjashëm, me rastet e tjera ku familjet e tjera, si refugjatë të ardhur nga Republike e Shqipërisë, në vitet e 60-ta, kishin fituar të drejtën e pronësisë mbi pronat kontestuese me posedim faktik me anë të parashkrimit fitues. Pas vlerësimit të procedurave në tërësi, dhe posaçërisht nga leximi i Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Gjykata konstatoi se mosadresimi i pretendimit të parashtruesve të kërkesës përbën një të metë të pakapërcyeshme të aktgjykimit dhe si rrjedhojë është në shpërputhje me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës.
Si përfundim, Gjykata gjeti se Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 530/2016, i 18 qershorit 2018, me të cilin është refuzuar ankesa e parashtruesve të kërkesës, nuk ka respektuar standardin kushtetues të arsyetimit të vendimit gjyqësor. Për rrjedhojë, Gjykata konstaton se ka shkelje të nenit 31 të Kushtetutës [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe të nenit 6.1 tё Konventës.[E drejta për një proces të rregullt].
Shehide Muhadri, Murat Muhadri dhe Sylë Ibrahimi
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile