Vendimet nga seanca shqyrtuese mbajtur më 19 korrik 2019

19.07.2019

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 19 korrik 2019, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KO 65/19; 2. KI 135/18; 3. KI 145/18; dhe 4. KI 149/18, 5. KI 150/18, 6. KI 151/18, 7. KI 152/18, 8. KI 153/18 dhe 9. KI 154/18. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të aktvendimeve dhe të aktgjykimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim)

1. Vendim për vazhdimin e Masës së Përkohshme
Lënda: KO 65/19
Parashtrues: Avokati i Popullit

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së neneve të kontestuara të Ligjit nr. 06/L-010 për Noterinë, për të cilat parashtruesi i kërkesës pretendonte se nuk janë në pajtueshmëri me nenin 5 [Gjuhët] dhe me paragrafët 1 dhe 3, të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Parashtruesi i kërkesës më tej kërkoi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të vendosë masë të përkohshme dhe të pezullojë zbatimin e neneve të kontestuara deri në vendimin përfundimtar të kësaj Gjykate, duke pretenduar se “kërkesa është prima facie e bazuar, dhe se me nenet e kontestuara të ligjit të kontestuar subjekteve të caktuara u shkaktohen dëme të pariparueshme…”.
Kërkesa bazohej në paragrafin 2, nënparagrafin 1, të nenit 113 (Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara) dhe në paragrafët 1 dhe 2, të nenit 116 (Efekti Juridik i Vendimeve) të Kushtetutës, nenet 22, 27, 29 dhe 30 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121), si dhe në rregullat 32, 56 dhe 57 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenet 116. 2 të Kushtetutës, nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në bazë të rregullave 56 dhe 57 të Rregullores së punës, vendosi për vazhdim e afatit kohor të Masës së Përkohshme, të vendosur nga Gjykata në vendimin e saj fillestar të 20 majit 2019, për një periudhë të mëtutjeshme prej (3) muaj, deri më 21 tetor 2019.

2. Aktgjykim
Lënda: KI 135/18
Parashtrues: Hava Simnica

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar, me të cilin parashtruesja pretendonte shkeljen e të drejtave të saj të garantuara me nenet 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Instrumenteve Ndërkombëtare], 3 dhe 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, me nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121) dhe rregullit 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 59 (1) të Rregullores së punës, njëzëri vendosi:

– Të deklarojë kërkesën të pranueshme;
– Të konstatojë shkelje të nenit 1 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 [E Drejta për Proces të Rregullt Gjyqësor] të KEDNJ-së;
– Të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, nr.112/2018, të 7 majit 2013; dhe të kthej të njëjtin për rivendosje, në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës;

3. Aktgjykim
Lënda: KI 145/18
Parashtrues: Shehide Muhadri, Murat Muhadri dhe Sylë Ibrahimi

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar, me të cilin parashtruesit e kërkesës pretendonin shkeljen e të drejtave të tyre të garantuara me nenin 3 dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, si dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në ndërlidhje me nenin 31 të Kushtetutës.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i Kërkesës], 47 [Kërkesat Individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit dhe rregullin 59 (1) të Rregullores së punës, njëzëri vendosi:

– Të deklarojë kërkesën të pranueshme;
– Të konstatojë shkelje të nenit 1 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 [E Drejta për Proces të Rregullt Gjyqësor] të KEDNJ-së;
– Të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, nr. 530/2016, të 18 qershorit 2018 dhe të kthejë të njëjtin për rivendosje, në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës;

4-9. Aktvendim
Lënda: KI 149/18, KI 150/18, KI 151/18, KI 152/18, KI 153/18 dhe KI 154/18
Parashtrues: Xhavit Aliu dhe 5 të tjerë

Objekt i çështjes së kërkesave ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së 6 vendimeve të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, me të cilat pretendohej se janë shkelur të drejtat e parashtruesve të kërkesës të garantuara me nenet 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe neni 15 i Deklaratës Universale për të Drejta të Njeriut.
Kërkesat bazoheshin në paragrafin 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (nr. 03/L-121) dhe rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata njëzëri vendosi që:

– Kërkesat KI151/18, KI152/18, KI153/18, KI154/18, të deklarohen të papranueshme, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës;
– Kërkesa KI149/18 të deklarohet e papranueshme, në pajtim me nenet 49 dhe 50 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës;
– Kërkesa KI150/18 të deklarohet e papranueshme, në pajtim me nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (a) të Rregullores së punës.