KI129/18, Parashtrues: Limak Kosovo International Airport SH. A. “Adem Jashari”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 220/2018, të 4 korrikut 2018
KI129/18, Aktvendim i 20 qershorit 2019, publikuar më 12 korrik 2019
Fjalët kyç: kërkesë individuale, person juridik, qartazi e pabazuar,
Parashtruesi i kërkesës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kishin nënshkruar Marrëveshje të Partneritetit Publiko-Privat (PPP), dhe bazuar në këtë marrëveshje parashtruesi i kërkesës kishte marrë obligim që të gjithë punëtorët t’i mbajë në marrëdhënie të punës edhe për 3 (tri) vite të tjera.
Si rrjedhojë, parashtruesi i kërkesës, e kishte njoftuar punëtorin B. A. se nuk do t’i përtërihet kontrata e punës. Punëtori B. A. kishte parashtruar padi pranë gjykatës së shkallës së parë dhe padia e tij u refuzua si e pabazuar nga Gjykata Themelore. Gjykata e Apelit gjithashtu refuzoi ankesën e punëtorit B. A. si të pabazuar. Në fund, Gjykata Supreme, aprovoi revizionin e punëtorit B. A. si të bazuar, dhe arsyetoi se objekt i kërkesëpadisë së të punësuarit ishte vlerësimi i ligjshmërisë së njoftimit për mosvazhdimin e kontratës së punës.
Parashtruesi i kërkesës, në kërkesën e tij pranë Gjykatës Kushtetuese, pretendoi shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës për shkak të vendimit të paarsyetuar, tejkalimit të kompetencës nga ana e Gjykatës Supreme dhe cenimit të parimit të sigurisë juridike si dhe pretendoi shkeljen e neneve 24, 32 dhe 46 të Kushtetutës dhe përsëriti pretendimet e tij si pranë gjykatave të rregullta.
Gjykata Kushtetuese, duke i adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, konstatoi se ky i fundit dështoi të paraqesë prova, fakte dhe argumente që tregojnë se procedurat në gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, dhe Gjykata nuk u lëshua në shqyrtimin e pretendimeve të mëtejshme të parashtruesit të kërkesës për shkak që shkeljet e të drejtave të tjera të garantuara me nenet 24, 32 dhe 46 të Kushtetutës i pretendon si pasojë e shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Limak Kosovo International Airport SH. A. “Adem Jashari”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar