Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e konfliktit të pretenduar të kompetencave kushtetuese në mes të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, siç përcaktohet me nenin 113.3 (1) të Kushtetutës, në lidhje me vendimet e Qeverisë për bartjen e disa pronave publike dhe shoqërore në shfrytëzim apo pronësi të komunave

Nr. të lëndës KO 181/18

Parashtruesit: Presidenti i Republikës së Kosovës

Shkarko:

KO181/18, Kërkesë për vlerësimin e konfliktit të pretenduar në mes të kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, siç përcaktohet me nenin 113.3 (1) të Kushtetutës, në lidhje me vendimet e Qeverisë për bartjen e disa pronave publike dhe shoqërore në shfrytëzim apo pronësi të komunave

KO181/18, Aktvendim për papranueshmëri i 13 qershorit 2019, publikuar më 1 korrik  2019

Fjalët kyç: konflikt i kompetencave kushtetuese

Rasti është parashtruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës (në tekstin mëtejmë: Presidenti), me kërkesë për vlerësim të konflikt të kompetencës kushtetuese në mes të Presidentit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Qeveria).

Pretendimi për konflikt të kompetencës kushtetuese ndërlidhej me ligjshmërinë e bartjes nga ana e Qeverisë të disa pronave shoqërore në shfrytëzim të komunave, duke qenë se, sipas pretendimit, “Presidenti […] si kreu i shtetit duhet të ndërmarr veprimet e nevojshme për të qartësuar këtë situatë se prona e paluajtshme bartet në mënyrë të ligjshme nga Qeveria në shfrytëzim të komunave dhe nuk pengon institucionet tjera të mandatuara për këtë çështje”, në pajtim me nenet 83 dhe 84 të Kushtetutës.

Në këtë aspekt, parashtruesi kërkoi nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) që në dritë të dispozitave kushtetuese të parapara me paragrafin 4, të nenit 92 dhe paragrafit 4, të nenit 93 të Kushtetutës të përgjigjet në pyetjet vijuese:

“1. a duhet [Qeveria] t’i anulojë të gjitha vendimet për bartjen e pronës së paluajtshme të Republikës së Kosovës, për shfrytëzim, tek komunat, në mungesë të bazës ligjore; dhe

  1. a duhet [Qeveria] t’i rishikojë të gjitha vendimet, që kanë të bëjnë me tërheqjen nga procesi i privatizimit të pronave dhe kthimin e tyre në pronësi të komunave dhe të respektoj procedurat sipas legjislacionit në fuqi për këtë çështje”.

Gjykata rikujtoi testin e aplikueshëm për të vlerësuar se a ka në një rast konkret konflikt në mes të kompetencave kushtetuese apo jo dhe e zbatojë të njëjtin në rrethanat e rastit konkret dhe në dritë të pretendimeve të Presidentit si parashtrues i kërkesës kundrejt Qeverisë si palë kundërshtare. Në këtë aspekt, Gjykata ritheksoi se neni 113.3 (1) i Kushtetutës ngërthen në vete tri kushte të nivelit kushtetues, përkatësisht domosdoshmërinë që: (i) konflikti të ngritët nga njëra nga tri palët e autorizuara; (ii) çështja të ngritët për një kompetencë kushtetuese të caktuar me Kushtetutë për njërën nga tri palët e autorizuara; dhe, (iii) të ketë një konflikt.

Në zbatim të këtij testi, Gjykata arriti në përfundimin se në rastin konkret, ndonëse Presidenti është palë e autorizuar që të ngritë çështje të konfliktit të kompetencave kushtetuese në mes të tij dhe Qeverisë, ai nuk e ka dëshmuar mjaftueshëm që çështja e ngritur ndërlidhet me kompetencat e tij të parapara me Kushtetutë. Pra, kërkesa e Presidentit e ka përmbushur kushtin e pikës (i) të testit të lartpërmendur; por nuk e ka përmbushur kushtin e pikës (ii) – meqenëse nuk ka nuk e ka dëshmuar mjaftueshëm që çështja e ngritur ndërlidhet me kompetencat e tij  kushtetuese të parapara me Kushtetutë. Gjykata, duke qenë se kushti (ii) i testit nuk u plotësua, nuk e shqyrtoi tutje plotësimin e kushtit (iii) dhe kjo për faktin se pa pasur një kompetencë kushtetuese as nuk mund të ketë konflikt në mes të kompetencave kushtetuese.

Rrjedhimisht, Gjykata, njëzëri, e deklaroi kërkesën e Presidentit për konflikt të pretenduar në mes të kompetencave kushtetuese të tij dhe Qeverisë të papranueshme për shqyrtim në merita.

Parashtruesit:

Presidenti i Republikës së Kosovës

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative