Vendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, A. nr. 1531/16, të 5 shtatorit 2018 dhe Vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, A. nr. 719/2018, të 4 dhjetorit 2018

Nr. të lëndës KI 190/18

Parashtruesit: Florina Jerliu

Shkarko:

KI190/18, Parashtrues, Florina Jerliu, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, A. nr. 1531/16, të 5 shtatorit 2018 dhe Vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, A. nr. 719/2018, të 4 dhjetorit 2018

KI190/18, Vendim për refuzim të kërkesës, i 27 marsit 2019, publikuar më 15 maj 2019

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kërkesë pa objekt shqyrtimi, vendim për refuzim të kërkesës

Më 5 shtator 2018, Gjykata Themelore në Gjilan, përmes Aktgjykimit A. nr. 1531/16, aprovoi padinë e kundërkandidates V. D., duke anuluar Vendimin nr. A/02/245/2016 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, të 2 shtatorit 2016 dhe çështjen e ktheu në rishqyrtim.

Më 4 dhjetor 2018, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, përmes Vendimit A. nr. 719/2018, duke vepruar në rishqyrtim kishte shfuqizuar Vendimin me numër KA. 3/16, të 17 majit 2016 të Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Parashtruesja e kërkesës pretendoi se përmes vendimeve të kontestuara i janë shkelur të drejtat e mbrojtura me nenin 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [e Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës.

Parashtruesja e kërkesës më 17 janar 2019 e kishte dorëzuar në Gjykatë, Vendimin nr. 369/2018, të 19 dhjetorit 2018, të Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në Gjykatën Themelore në Gjilan, me të cilin ishte refuzuar si e pabazuar ankesa e kundërkandidates V. D. dhe Raporti përmbledhës i intervistës gojore të mbajtur më 14 prill 2016 ishte vlerësuar si i ligjshëm dhe ishte lënë në fuqi. Në bazë të këtij raporti, parashtruesja e kërkesës ishte përzgjedhur për pozitën Administrator në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Gjykata vlerësoi se pozita e parashtrueses së kërkesës kishte ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme dhe kërkesa tanimë nuk kishte arsyetim sepse objekti i kontestit ishte zgjidhur në dobi të saj me Vendimin e fundit të Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në Gjykatën Themelore në Gjilan, nr. 369/2018.

Gjykata konkludoi se objekti i çështjes nuk përfaqëson një rast ose një kontest para Gjykatës.

Parashtruesit:

Florina Jerliu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Vendim

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative