Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Pml. nr. 313/2018, të 10 dhjetorit 2018

Nr. të lëndës KI 12/19

Parashtruesit: Arben Mërxha

Shkarko:

KI12/19, Parashtrues: Arben Mërxha, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Pml. nr. 313/2018, të 10 dhjetorit 2018

 KI12/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 prillit 2019, publikuar më 7 maj 2019

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, paditës subsidiar, akuza ndaj personit të tretë, juridiksioni racione materiae  

Parashtruesi i kërkesës, në cilësi të paditësit subsidiar, kishte inicuar padi penale në Gjykatën Themelore në Pejë kundër personit G. D., duke e akuzuar për kryerjen e veprës penale sipas nenit 219 [Trajtimi i Pandërgjegjshëm Mjekësor] të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, të 6 korrikut 2003 (në tekstin e mëtejmë: KPPK). Gjykata Themelore në Pejë-Dega në Deçan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), përmes Aktgjykimit P. nr. 72/2016, liroi nga akuza e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës, si paditës subsidiar, personin G.D. Pas ankesës së parashtruesit, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit (PA1. nr. 595/2018), refuzoi si të pabazuar ankesën e tij dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore (P. nr. 72/2016). Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore (P. nr. 72/2016) dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit (PA1. nr. 595/2018). Gjykata Supreme përmes Aktvendimit (Pml. nr. 313/2018), hodhi poshtë si të papranueshme kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore (P. nr. 72/2016) dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit (PA1. nr. 595/2018).

Parashtruesi i kërkesës pretendoi në Gjykatën Kushtetuese se gjykatat e rregullta i kanë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës. Kjo pasi, sipas tij, gjykatat e rregullta: a) nuk kanë arsyetuar vendimet e tyre, b) nuk kanë vlerësuar si duhet faktet e paraqitura nga ai dhe ekspertizat e ekspertëve; si dhe c) kanë aplikuar gabimisht dhe në mënyrë arbitrare ligjin.

Në lidhje me këtë, Gjykata theksoi se në rastin konkret, pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës, kanë të bëjnë me procedurën penale që ai kishte iniciuar kundër palës së tretë, përkatësisht personit G. D. Gjykata, duke iu referuar praktikës së saj gjyqësore, theksoi se KEDNJ nuk siguron të drejtën e ndjekjes ose dënimit të një pale të tretë për një vepër penale. As Kushtetuta nuk ofron një të drejtë të tillë. Në këtë mënyrë, pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë, gjatë zhvillimit të procedurës kundër personit të tretë, G. D., nuk bie në kuadër të fushëveprimit të titullit “si çfarëdo ndjekje penale” që gjendet në nenin 31 të Kushtetutës.

Rrjedhimisht, Gjykata erdhi në përfundim se ankesa e parashtruesit të kërkesës lidhur me procedurën penale kundër palës së tretë, në këtë rast G. D., nuk bie në kuadër të drejtës për gjykim të drejtë nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6, paragrafi 1 i KEDNJ-së, andaj, kërkesa e parashtruesit nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën. Prandaj, në pajtim me nenin 113, paragrafi 7, të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 39 (3) (b) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit u deklarua e papranueshme.

Parashtruesit:

Arben Mërxha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale