Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores (QRK) nr. 14/2018 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të 26 shatorit 2018

Nr. të lëndës KI 30/19

Parashtruesit: Isni Kryeziu

Shkarko:

KI30/19, Parashtrues: Isni Kryeziu, kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores (QRK) nr. 14/2018 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të 26 shatorit 2018 

KI30/19, Aktvendim për papranueshmëri i 3 prillit 2019, publikuar më 23 prill 2019

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, actio popularis, Rregullore e Qeverisë, palë e paautorizuar, kërkesë për masë të përkohshme

Parashtruesi i kërkesës nga viti 2007 kishte ushtruar pozitën e Drejtorit të Departamentit Ligjor në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).  Në shtator 2018, Qeveria e Republikës së Kosovës (Qeveria), përmes Vendimit nr. 1/64, miratoi Rregulloren nr. 14/2018 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në MASHT.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës se Rregullorja nr. 14/2008, është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, konkretisht, Ligjin për Shërbimin Civil, Ligjin për Administratën Shtetërore, Rregulloren nr. 09/2011 të Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Rregulloren nr. 13/2013 për Shërbimin Ligjor Qeveritar, Rregulloren nr. 05/2016 për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik. Andaj, gjithashtu theksoi se Rregullorja nr. 14/2018 shkelë të drejtat e tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 49 [E drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës.

Në fund, ai kërkoi nga Gjykata që të aprovojë kërkesën si të bazuar dhe të anulojë pjesërisht Rregulloren nr. 14/2018, si dhe që Gjykata të vendosë masën e përkohshme – shtyrjen e zbatimit të rregullores së kontestuar deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata.

Në lidhje me këtë, Gjykata theksoi se parashtruesi para Gjykatës kontestoi, in abstractio, kushtetutshmërinë e Rregullores nr. 14/2018. Gjykata më tej sqaroi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk parasheh actio popularis, që do t’i mundësonte çdo individi, që tenton të mbrojë interesin publik dhe rendin kushtetues, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me pyetje dhe me kërkesa të caktuara, duke aluduar se dispozitat e caktuara ligjore apo aktet publike janë në kundërshtim me Kushtetutën. Individët, kanë të drejtë të kontestojnë vetëm aktet individuale të autoriteteve publike që cenojnë të drejtat e tyre individuale dhe vetëm pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike, të përcaktuara me paragrafin 7, të nenit 113 të Kushtetutës.

Andaj, Gjykata theksoi se në kushtet kur kërkesa është parashtruar nga një palë e paautorizuar, Gjykata nuk mund të vlerësojë meritat e rastit dhe rrjedhimisht, as në rastin konkret, Gjykata nuk vlerëson pretendimet e parashtruesit të kërkesës nëse dispozitat e Rregullores nr. 14/2018 janë apo jo në përputhje me Kushtetutën. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa nuk është paraqitur në mënyrë ligjore nga një palë e autorizuar siç përcaktohet me nenin 113, paragrafi 1 dhe 7 të Kushtetutës,  nenin 47 të Ligjit, rregullin 39 (1) (a) të Rregullores së punës, dhe si e tillë është e papranueshme. Gjykata gjithashtu refuzoi kërkesën për masë të përkohshme.

Parashtruesit:

Isni Kryeziu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa nuk është paraqitur nga një palë e autorizuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër