Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren vizituan Gjykatën

17.04.2019

Gjykatën Kushtetuese e vizituan studentët e vitit të katërt të Fakultetit Juridik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, të shoqëruar nga profesori universitar dhe ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof. dr. Kadri Kryeziu.

Studentët u pritën në takim nga zëvendës-këshilltari i parë juridik i Gjykatës Kushtetuese, z. Nexhat Kelmendi, dhe nga drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim (ZKI), z. Veton Dula.

Gjatë takimit të mbajtur, këshilltari Kelmendi fillimisht i njohu studentët me funksionin, me përgjegjësitë dhe me rolin që ka Gjykata Kushtetuese e Kosovës në raport me organet e tjera të pushtetit shtetëror dhe me gjykatat e rregullta në vend.

Këshilltari Kelmendi në vazhdim bëri një prezantim të shkurtër përkitazi me palët e autorizuara sipas Kushtetutës për të parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, me ç’rast për secilën palë parashtruese ai bëri një elaborim krahasues me vendimet e nxjerra deri më tani nga gjykata.

Ai diskutoi edhe për aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë pasur më së shumti ndikim në sundimin e së drejtës dhe mbrojtjen e kushtetutshmërisë në vend, duke theksuar njëherësh obligimin kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Për bashkëpunimin e Gjykatës Kushtetuese me Komisionin e Venecias, parashtrimin e kërkesave nga dhe në Forumin e Komisionit të Venecias, si dhe numrin e përgjithshëm të kërkesave të parashtruara deri më tani, studentët u informuan më në detaje nga drejtori i ZKI dhe njëherësh Zyrtari ndërlidhës i Gjykatës Kushtetuese me Komisionin e Venecias, z. Veton Dula.