Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nr. AC-I-17-0466-Aoo1, të 12 prillit 2018
Nr. të lëndës KI 78/18
Parashtruesit: Pashk Malota
KI78/18 – Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (DHPGJS-së), nr. AC-I-17-0466-Aoo1, të 12 prillit 2018
KI78/18, parashtrues Pashk Malota
Aktvendim për Papranueshmëri i datës 27 shkurt 2019
Fjalët kyqe: Kërkesë individuale, taksë gjyqësore, qartazi e pabazuar
Parashtruesi i kërkesës kontestonte kushtetutshmërinë e një Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së. Ky i fundit kishte konstatuar se ankesa e parashtruesit duhej të konsiderohej e tërhequr meqë ai nuk kishte paguar taksën gjyqësore prej 20 EUR.
Parashtruesi i kërkesës pretendonte se një vendim i tillë i ka shkelur atij të drejtat e garantuara me nenet 21, 22, 53, 46 dhe 54 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Në lidhje me këtë, ai pretendonte se Kolegji i Apelit në kundërshtim me dispozitat ligjore e ka konsideruar ankesën e parashtruesit të tërhequr dhe gjithashtu i ka mohuar atij të drejtën e qasjes në drejtësi, përkatësisht qasjes në Gjykatë.
Duke u thirrur në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, Gjykata përsëriti dhe ritheksoi se nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të merret me gabimet e faktit ose të ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta gjatë vlerësimit të provave apo zbatimit të ligjit (ligjshmërisë), përveç dhe për aq sa ato mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Është në rolin e gjykatave të rregullta që të interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale.
Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte paraqitur dëshmi, fakte dhe argumente që tregojnë se shuma e taksës gjyqësore për të cilën është obliguar parashtruesi, mundësitë e tij për të paguar atë si dhe rrethanat e rastit të tij në përgjithësi kanë ndikuar në të drejtën e tij për qasje në gjykatë, ashtu siç parashihet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.
Si rrjedhojë, kërkesa e parashtruesit u refuzua si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe u deklarua e papranueshme, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Pashk Malota
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile