Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim ministren e Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, znj. Etilda Gjonaj.
Puna e deritanishme e Gjykatës Kushtetuese, sfidat e përballura gjatë përzgjedhjes së gjyqtarëve të rinj dhe largimi i gjyqtarëve ndërkombëtarë vitin e kaluar, ishin vetëm disa prej çështjeve për të cilat kryetarja Rama-Hajrizi diskutoi në takimin e përbashkët me ministren Gjonaj.
Ajo e vlerësoi lartë ecurinë që ka bërë Shqipëria në reformimin e sistemit të drejtësisë nëpërmjet procesit të Vettingut, duke nënvizuar rëndësinë që ka për konsolidimin e shtetit të së drejtës në çdo vend, emërimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve me integritet.
Kryetarja Rama-Hajrizi më tutje tha se, ashtu si edhe të gjitha institucionet shtetërore të të dyja vendeve, edhe gjykatat kushtetuese të Kosovës dhe të Shqipërisë kanë kultivuar një bashkëpunim të shkëlqyer ndër vite, duke pasur çdo herë si udhërrëfyes standardet evropiane të gjyqësisë kushtetuese.
Ministrja Gjonaj theksoi nga ana e saj gatishmërinë e shtetit shqiptar për të vazhduar përkrahjen për të gjitha institucionet dhe për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, si dhe për të forcuar raportet e gjithanshme të bashkëpunimit, në veçanti në fushën e drejtësisë.
Në vazhdim të takimit të dyja palët shkëmbyen idetë dhe përvojat reciproke për sa i përket sistemeve gjyqësore të të dyja vendeve, me fokus të veçantë në pavarësinë e gjyqësorit, si dhe praktikat e përzgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues.