Këshilli i Evropës dhe ambasada e Norvegjisë në Kosovë me projekt mbështetës për Gjykatën Kushtetuese

21.03.2019

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe me përkrahjen e ambasadës së Norvegjisë në Kosovë, organizuan punëtorinë e përbashkët me temë: “Përmirësimi i mbrojtjes së standardeve evropiane të të drejtave të njeriut nga Gjykata Kushtetuese”, e cila u mbajt në hotelin “Swiss Diamond Hotel” në Prishtinë.

Punëtoria e mbajtur shënoi edhe fillimin e projektit të mbështetur nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe nga ambasada e Norvegjisë në Kosovë, që synon avancimin e kapaciteteve profesionale të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim të zbatimit më efektiv të standardeve evropiane në trajtimin e ankesave individuale dhe komunikimin me publikun.

Me një fjalë rasti, pjesëmarrësve në këtë punëtori iu drejtuan kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, znj. Isabelle Servoz-Gallucci, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, z. Per Strand Sjaastad, si dhe udhëheqësi i Departamentit për Evropën juglindore dhe Turqinë në kuadër të Këshillit të Evropës dhe njëherësh koordinator i këtij projekti, z. Daniel Schmidt.

Pasi që shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të ofruar Gjykatës Kushtetuese nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe nga ambasada norvegjeze, kryetarja Rama-Hajrizi ndër të tjera tha se, “ky projekt pritet të ndihmojë edhe më shumë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës që të përmbush misionin e saj në mbrojtjen dhe zbatimin e kushtetutshmërisë në vend, veçanërisht tani që po hyjmë në dekadën e parë të punës dhe pas largimit të gjyqtarëve dhe të këshilltarëve ndërkombëtarë”.

Pavarësia e gjykatave kushtetuese dhe e gjykatave rajonale në trajtimin e rasteve me të drejta të njeriut, ishte njëra ndër temat për të cilat u diskutua në vazhdim të punëtorisë, ku në mesin e panelistëve folës ishte edhe z. Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.