Gjykata Kushtetuese dhe Supreme në punëtori të përbashkët për ankesat kushtetuese

05.10.2018

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës dhe me përkrahjen e Fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar (IRZ), organizuan punëtorinë me temë: “Ankesat kushtetuese dhe zhvillimet e fundit në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së”, që u mbajt në Selanik, më 4 dhe 5 tetor 2018.

Të drejtat themelore civile dhe gjyqësore, forca detyruese e ligjit kombëtar dhe e vendimeve të gjykatave kushtetuese, si dhe forca detyruese e ligjeve dhe e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), ishin vetëm disa prej temave që u shtjelluan në diskutimin e zhvilluar ndërmjet gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Kriteret e pranueshmërisë së parashtresave kushtetuese, objekti i përshtatshëm i ankesës kushtetuese, shterimi i mjeteve juridike dhe afatet kohore për parashtrimin e ankesave, si dhe vendimet më të fundit të GJEDNJ-së, ishin gjithashtu temë e diskutimit mbi të cilat pjesëmarrësit e punëtorisë shkëmbyen pikëpamjet e tyre.

Moderator dhe njëri ndër folësit kryesor në punëtori ishte kryetari i trupit gjykues të Gjykatës së Lartë Administrative në Baden-Württemberg të Gjermanisë, Prof. dr. Jan Bergmann, i cili njëherësh është edhe profesor i të Drejtës publike, kushtetuese dhe evropiane në Universitetin e Shtutgartit.