Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-II-14-0135, të 20 tetorit 2016

Nr. të lëndës KI 18/17

Parashtruesit: Isuf Bajrami

Shkarko:

KI18/17, Parashtrues: Isuf Bajrami, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC-II-14-0135, të 20 tetorit 2016, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit

 KI18/17, Aktvendim për papranueshmëri, miratuar më 19 prill 2018, publikuar më 30 maj 2018

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë civile, kontest pronësor, barazia para ligjit, e drejta për gjykim të drejtë, mbrojtja e pronës, mbrojtja gjyqësore e të drejtave, kërkesë e jashtafatshme

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se me Aktvendimin [AC-I-14-0135] e 25 tetorit 2016 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], me nenin 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës], me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Parashtruesi i kërkesës para gjykatave të rregullta kishte kërkuar vërtetimin e të drejtave pronësore të disa paluajtshmërive kontestuese, për të cilat pretendonte se i janë marrë paraardhësve të tij përgjatë viteve 1948-1995, gjatë procesit të reformës agrare. Parashtruesi fillimisht kishte ushtruar padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, kundër Komunës së Gjilanit, KBI “Agrokultura” në Gjilan dhe Kooperativës Bujqësore në Zhegër. Kjo e fundit e kishte shpallur veten jokompetente dhe lëndën ia kishte dërguar Gjykatës Komunale në Gjilan për shqyrtim, e cila e refuzoi padinë e parashtruesit të kërkesës. Aktgjykimi i Gjykatës Komunale në Gjilan përfundimisht u konfirmua nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, me Aktvendimin [AC-I-14-0135] të 25 tetorit 2016. Kundër këtij aktvendimi, parashtruesi kishte ushtruar “kërkesës për revizion” pranë Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, e cila e hodhi poshtë si ta palejueshme kërkesën e parashtruesit për revizion.

Gjykata, pasi vlerësoi rastin në tërësi, konstatoi se parashtruesi i kërkesës në të vërtetë kishte ushtruar një mjet juridik, i cili nuk ishte i lejueshëm me ligj. Për këtë arsye, Gjykata si vendim përfundimtar dhe për çështje të llogaritjes së afatit, e mori Aktgjykimin [AC-II-12-0070] të Kolegjit të Apelit, të 27 marsit 2014, dhe erdhi në përfundim se nga dorëzimi i tij kishin kaluar me tepër se 2 vjet. Si përfundim, Gjykata konkludoi se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 36 (1) (c) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Isuf Bajrami

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile