Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML. nr. 83/2017, të 26 majit 2017

Nr. të lëndës KI126/17

Parashtruesit: A. K.

Shkarko:

KI126/17, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës PML. nr. 83/2017, të 26 majit 2017

KI126/17, Parashtrues i kërkesës: A. K.

Aktvendim për papranueshmëri i 23.05.2018

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, masë e përkohshme, zbulimi i identitetit, qartazi e pabazuar

Parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e ngasësit, kishte goditur personin A. C., i cili kishte ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra nga ky aksident trafiku. Prokuroria paditi parashtruesin e kërkesës dhe gjykatat e rregullta e shpallën atë fajtor për kryerjen e veprës penale “rrezikim të trafikut publik” dhe e dënuan me burg efektiv në kohëzgjatje prej 1 (një) viti.

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Supreme, me të cilin pretendohet se ishte shkelur e drejta e  parashtruesit të kërkesës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm e garantuar me Kushtetutë dhe KEDNJ. Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata që ta urdhërojë Gjykatën Supreme të nxjerrë një aktgjykim të ri me anë të të cilit do të anulonte vendimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore dhe do ta kthente rastin për rigjykim. Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës gjithashtu kërkoi nga Gjykata: i) të vendosë masë të përkohshme, me të cilën do të pezullohej fillimi i ekzekutimit të dënimit me burg derisa të merret një vendim nga Gjykata; dhe ii) të mos zbulojë identitetin e parashtruesit për shkak të çështjeve të ndjeshme familjare.

Gjykata e deklaroi kërkesën të papranueshme dhe e refuzoi kërkesën e parashtruesit për masë të përkohshme si të pabazuar. Gjykata konsideroi se kërkesa e parashtruesit nuk i kishte përmbushur kriteret e pranueshmërisë, sepse kërkesa ishte qartazi e pabazuar në baza kushtetuese. Pas shqyrtimit të procedurave të gjykatave të rregullta, Gjykata konstatoi se Gjykata Supreme dhe gjykatat e tjera më të ulëta arsyetuan vendimet e tyre dhe këto të fundit nuk ishin në asnjë mënyrë të padrejta apo arbitrare. Argumentet e parashtruesit të kërkesës i përkisnin sferës së ligjshmërisë dhe nuk ishin ngritur në nivel kushtetues. Faktet e paraqitura në asnjë mënyrë nuk e arsyetuan shkeljen e pretenduar dhe mungonte arsyetimi në nivel kushtetues nga parashtruesi i kërkesës, i cili kishte barrën e provës për ta bindur Gjykatën për shkeljen e pretenduar.

Gjykata përsëriti rëndësinë e doktrinës së “gjykatës së shkallës së katërt”, duke theksuar se nuk është roli i saj të merret me gabimet e fakteve apo të ligjit që pretendohet të jenë kryer nga gjykatat e rregullta gjatë vlerësimit të provave apo zbatimit të ligjit (ligjshmërisë) përveç dhe për aq sa ato mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria).

Gjykata e aprovoi si të bazuar kërkesën e parashtruesit për moszbulimin e identitetit të tij publikisht duke marrë parasysh se parashtruesi i kërkesës ofroi arsyetim të mjaftueshëm, siç kërkohet me Rregulloren e punës, se pse identiteti i tij nuk duhet të zbulohet.

Parashtruesit:

A. K.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale