KI70/17, Parashtrues: Rrahim Ramadani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, CPP. nr. 2/2017, të 15 majit 2017
KI70/17, Aktvendim për papranueshmëri, miratuar më 12 mars 2018, publikuar më 14.05.2018
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë civile, procedurë përmbarimore, kontest pune, kërkesë për kompensim, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës kontestoi Aktvendimin [CPP. nr. 2/2017] e 15 majit 2015 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, nëpërmjet të cilit pretendoi se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 49 [E drejta në Punë dhe Ushtrim të Profesionit] të Kushtetutës, për shkak se kërkesa e tij për përsëritjen e procedurës përmbarimore ishte refuzuar si e pabazuar.
Parashtruesi i kërkesës para gjykatave të rregullta kishte kërkuar kthimin e tij në punë pasi ishte larguar si rezultat i reformave në arsim dhe kompensimin përkatës. Në procedura, fillimisht administrative dhe më pas gjyqësore, parashtruesi i kërkesës kishte fituar të drejtën e kthimit në punë, duke u sistemuar si bibliotekar dhe jo arsimtar dhe kompensimin përkatës për periudhën përgjatë të cilës kishte mbetur i papunësuar. Por, më tej, parashtruesi i kërkesës vazhdoi procedurat gjyqësore për të kërkuar edhe kompensimin e diferencës së pagës ndërmjet bibliotekarit dhe mësimdhënësit, që nga momenti kur kishte humbur pozitën e fundit. Gjykatat e rregullta refuzuan këtë kërkesë. Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës iu drejtua Gjykatës Supreme me kërkesë për përsëritjen e procedurës përmbarimore, kërkesë kjo që u refuzua përmes Aktvendimit [CPP. nr. 2/2017] të 15 majit 2017. Këtë të fundit, parashtruesi i kërkesës e konteston në Gjykatë, duke pretenduar shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 49 të Kushtetutës.
Gjykata konsideroi se kërkesa e parashtruesit duhej deklaruar si qartazi e pabazuar për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk i kishte mbështetur pretendimet e tij për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës, ashtu siç pretendonte. Andaj, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 48 të Ligjit dhe me rregullat 36 (1) (d), (2) (b) e (d) dhe 52 (2), kërkesa u deklarua e papranueshme, si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.
Rrahim Ramadani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile