KI 81/17, Parashtrues i kërkesës: Rapsina Muslija, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, AA. nr. 4436/2016, të 22 dhjetorit 2016
KI 81/17, Aktvendim për papranueshmëri i 22 shkurtit 2018, i publikuar më 23 prill 2018
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës së Apelit, masat e përkohshme, kërkesë jashtë afatit
Kërkesa bazohet në nenin 113 paragrafët 1 dhe 7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 dhe rregullin 29 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Parashtruesja e kërkesës paraqiti padinë në Gjykatën Themelore në Prizren për anulimin e kontratës hipotekare ndërmjet parashtrueses së kërkesës (paditëses) dhe të paditurve A.M. dhe Pro Credit Bankës me seli në Prishtinë. Së bashku me padinë, ajo paraqiti propozimin për caktimin e masës së përkohshme me të cilën do të ndalohet qarkullimi juridik dhe ngarkimi i ngastrës kadastrale e cila është objekt i kontestit, si dhe të ndërpriten të gjitha veprimet përmbaruese në procedurën e përmbarimit, deri në përfundimin e procedurës kontestimore.
Kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, parashtruesja e kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila, më 22 dhjetor 2016, përmes Aktvendimit [AA. nr. 4436/2016] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin [P. nr. 650/16] e Gjykatës Themelore në Prizren, të 2 gushtit 2016.
Parashtruesja e kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme të Kosovës kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit. Më 20 prill 2017, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr. 78/2017] hodhi poshtë si të palejueshëm revizionin e parashtrueses së kërkesës.
Parashtruesja e kërkesës pretendon se vendimet e gjykatave të rregullta me të cilat është anuluar masa e përkohshme e sigurimit i kanë shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenet 24 dhe 31 të Kushtetutës.
Gjykata vëren se Gjykata e Apelit më 22 dhjetor 2016 nxori aktvendimin i cili i është dorëzuar parashtrueses së kërkesës më 10 janar 2017, ndërsa parashtruesja e parashtroi kërkesën e saj në Gjykatë më 12 korrik 2017.
Gjykata rikujton se afati katër mujor fillon të ecë nga data kur parashtrueses së kërkesës i është dorëzuar vendimi përfundimtar.
Gjykata konstaton se kërkesa nuk është parashtruar brenda afatit ligjor të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 36 (1) (c) të Rregullores së punës.
Rapsina Muslija
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile