Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 4051/2014, të 9 qershorit 2017

Nr. të lëndës KI80/17

Parashtruesit: Muharrem Ademi

Shkarko:

KI80/17, Parashtrues i kërkesës: Muharrem Ademi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Ac. nr. 4051/2014, të 9 qershorit 2017

KI 80/17, Aktvendim për papranueshmëri i 1 marsit 2018, i publikuar më 19 prill 2018

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, kontest juridik i marrëdhënies së punës, qartazi e pabazuar

Kërkesa bazohet në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121, dhe në rregullin 29 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Parashtruesi i kësaj kërkese inicioi kontestin e punës në gjykatat e rregullta kundër Qendrës së Studentëve në Prishtinë (QSP), pasi që menaxhmenti i QSP-së ia ndërpreu marrëdhënien e punës në vitin 1992. Në kërkesë, parashtruesi kërkoi kthimin në vendin e mëparshëm të punës, ndërsa kërkesa tjetër i referohej pagesës së të ardhurave të papaguara për periudhën e largimit nga vendi i punës. Procedura e përmendur përfundoi me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin ankesa e parashtruesit të kërkesës është deklaruar e pabazuar dhe është refuzuar, me arsyetim se QSP nuk është palë me legjitimitet pasiv në kontest.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta e refuzuan kërkesën e tij për kompensimin e të ardhurave personale të papaguara si të pabazuar, prandaj konsideron se me një qëndrim të tillë të gjykatave janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenet 31 dhe 46 të Kushtetutës, si dhe me nenet 6, 13 dhe me nenin 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së.

Gjykata rikujton se vërtetimi i plotë i gjendjes faktike është në juridiksionin e plotë të gjykatave të rregullta dhe se roli i Gjykatës Kushtetuese është vetëm të sigurojë respektimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe me instrumentet e tjera ligjore, prandaj ajo nuk mund të veprojë si gjykatë e “shkallës së katërt”. Në rastin konkret, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, Gjykata nuk gjeti asgjë që do të tregonte se rregulloret materiale dhe juridike janë zbatuar arbitrarisht apo padrejtësisht në dëm të parashtruesit, prandaj, nga sa u tha më lartë, konsideron se kërkesa është qartazi e pabazuar dhe si e tillë e papranueshme.

 

Parashtruesit:

Muharrem Ademi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile