Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit të Gjykatës Supreme, Pzd. nr. 67/2011, të 12 dhjetorit 2011.

Nr. të lëndës KI 06/12

Parashtruesit: Bajrush Gashi

Parashtruesi Z. Bajrush Gashi ka parashtruar Kërkesën në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës së Kosovës, duke kontestuar aktvendimin e Gjykatës Supreme Pzd. nr. 67/2011, si të marrë me shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si dhe nenin 6 të KEDNJ-së. Parashtruesi ankohet veçanërisht që Gjyqtari që ka qenë Kryetar Kolegji në Gjykatën e Qarkut në Prizren, si dhe ka vendosur rastin e tij, ka marrë pjesë edhe në vendimin e Gjykatës Supreme në kërkesën e tij për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit (gjyqtari i njëjtë në fjalë). Për më tepër, parashtruesi pretendon që gjyqtari në fjalë është dashur ta njoftojë Gjykatën Supreme që ka qenë Kryetar Kolegji në Gjykatën Supreme në Prizren, si dhe do të duhej diskualifikuar nga pjesëmarrja në kolegjin e Gjykatës Supreme.

Sa i përket çështjes së pranueshmërisë së Kërkesës, Gjykata theksoi që në bazë të gjuhës së përdorur në nenin 113.7, kërkesa ishte e papranueshme, sepse në rastin konkret Z. Bajrush Gashi konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit Pzd. nr. 67/2011 të Gjykatës Supreme, të datës 12 dhjetor 2011. Kështu, Parashtruesi duhet konsideruar si palë e autorizuar, me të drejtë që të parashtrojë rastin në Gjykatë, si dhe të shterojë gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës. Sa i përket dispozitës së nenit 49 të Ligjit, që Parashtruesi duhet të parashtrojë Kërkesën brenda një periudhe katër (4) mujore, Gjykata gjeti nga parashtresat e Parashtruesit që Parashtruesi kishte pranuar aktvendimin e përmendur të Gjykatës Supreme në një datë të pacaktuar, derisa Parashtruesi kishte dorëzuar Kërkesën në Gjykatë më 27 janar 2012, pra brenda afatit katër mujor, siç përcaktohet me nenin 49 të Ligjit. Tutje, Parashtruesi ka theksuar në hollësi të drejtat sipas Kushtetutës dhe KEDNj-së që pretendon të jenë shkelur, si dhe autoritetet publike që i kanë cenuar ato. Kështu, Gjykata gjithashtu gjeti që Parashtruesi ka përmbushur kërkesat e nenit 48 të Ligjit.

Në lidhje me meritat e Kërkesës, Gjykata vendosi që në rrethanat e këtij rasti, paanshmëria e Gjykatës Supreme ka mundësi të vihet në dyshim, si dhe që brengat e Parashtruesit në këtë kuptim mund të konsiderohen të arsyetuara subjektivisht dhe objektivisht. Gjykata gjithashtu konsideron që çështja nëse ka pasur apo jo gjyqtarë të mjaftueshëm për të vendosur për zbutje të dënimit është çështje krejtësisht brenda juridiksionit të gjyqësorit, si dhe që mund të diskutohet, sipas nevojës, mes gjyqësorit dhe Qeverisë. Përgjegjësia kryesore për administrimin e duhur të drejtësisë i përket Qeverisë, derisa çështjet organizative nuk mund të shfrytëzohen si justifikim për mosrespektimin e Kushtetutës (shih Rastin nr. KO 4/11, Gjykata Supreme e Kosovës, kërkesa për vlerësim të kushtetutshmërisë së neneve 35, 36, 37 dhe 38 të Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme nr. 03/L-139, Aktgjykim i datës 1 mars 2012). Në këto rrethana, Gjykata thekson që e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm nga një tribunal i pavarur, siç garantohet me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 [E drejta për proces të rregullt gjyqësor] të KEDNJ-së, është cenuar. Në marrjen e vendimit të saj, Gjykata gjithashtu është bazuar në vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat merren me çështjen e njëjtë apo të ngjashme. Gjykata e shpalli të pavlefshëm dhe pa efekt juridik aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, si dhe obligoi Gjykatën Supreme që të rigjykojë rastin në përputhje me aktgjykimin e kësaj Gjykate.

Parashtruesit:

Bajrush Gashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale