Njoftim për medie

11.05.2016

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, z. Bashkim Dedja, i shoqëruar nga gjyqtarët e kësaj gjykate: znj. Altina Xhoxhaj dhe z. Fatmir Hoxha, të mërkurën, më 11 maj 2016.

Pasi i falënderoi për vizitën, kryetarja Rama-Hajrizi fillimisht e informoi kryetarin Dedja dhe gjyqtarët Xhoxhaj e Hoxha me zhvillimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke veçuar njëherësh disa nga sfidat me të cilat vazhdon të ballafaqohet kjo gjykatë në çështjet e funksionimit.

Ajo shprehu mirënjohjen e saj për përkrahjen që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i ka ofruar në vazhdimësi Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si nëpërmjet shkëmbimit të përvojave e po ashtu edhe nëpërmjet iniciativave të përbashkëta, që çdoherë për synim kanë avancimin profesional të këshilltarëve dhe të gjyqtarëve të saj.

Në vazhdim të bisedës, kryetarja Rama-Hajrizi dhe kryetari Dedja trajtuan çështje të tjera me interes të përgjithshëm për funksionimin e gjyqësorit dhe për reformat në gjyqësinë e të dyja vendeve, me ç’rast të dyja palët shkëmbyen pikëpamjet e tyre përkitazi me thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy gjykatave kushtetuese.

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me ç’rast do të takohet edhe me udhëheqës të institucioneve të tjera shtetërore.