Njoftim për medie

18.11.2015

Në oborrin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës sot është gjetur një granatë dore, e cila është mënjanuar me shpërthim të kontrolluar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, fatmirësisht pa dëme në njerëz dhe pa dëme materiale.  

Gjykata Kushtetuese dënon fuqishëm këtë akt të dhunshëm, i cili cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurinë, shëndetin dhe jetën e zyrtarëve dhe gjyqtarëve të Gjykatës. Ky akt i dhunshëm që ka për qëllim frikësimin e gjyqtarëve dhe të zyrtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese, paraqet sulm të drejtpërdrejtë kundër vetë rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Lehtësia me të cilin është kryer ky sulm i dhunshëm ndaj Gjykatës dëshmon brishtësinë e sundimit të ligjit dhe të sigurisë së krijuar në vend, si rezultat i tensioneve politike, të cilat e kanë bërë Gjykatën Kushtetuese shënjestër të sulmeve të tilla.

Përkundër këtij sulmi të dhunshëm, Gjykata Kushtetuese mbetet e palëkundur në misionin e saj për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe për respektimin e të drejtave dhe të lirive të secilit qytetar në Republikën e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese falënderon pjesëtarët e organeve të rendit për profesionalizmin e treguar në menaxhimin e situatës dhe njëherazi u bën thirrje organeve të drejtësisë që të zbulojnë dhe të mbajnë përgjegjës para ligjit kryerësit e drejtpërdrejtë dhe shtytësit e kësaj vepre të rëndë penale.