Njoftim për medie

08.10.2015

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama–Hajrizi, priti në takim ambasadoren e Francës në vendin tonë, znj. Maryse Daviet, të enjten, më 8 tetor 2015.    

Pasi e falënderoi për vizitën, kryetarja Rama–Hajrizi fillimisht e njoftoi ambasadoren Daviet me zhvillimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese, me procesin e punës dhe me sfidat aktuale, me ç’rast tërhoqi vërejtjen në nevojën urgjente për plotësimin e dy vendeve vakante të gjyqtarëve, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit dhe të qëndrueshmërisë së këtij institucioni.

Ajo vuri theksin edhe në përpjekjet e vazhdueshme që po bën Gjykata Kushtetuese e Kosovës për anëtarësim në Konferencën Evropiane të Gjykatave Kushtetuese dhe e vlerësoi si shumë me rëndësi intensifikimin e mëtejshëm të komunikimit dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë me institucionet homologe jo vetëm në rajon. 

Kryetarja Rama-Hajrizi në vazhdim shprehu falënderimin e saj për ndihmën e ofruar Gjykatës Kushtetuese dhe vendit tonë nga shteti francez, veçanërisht kur është fjala për zbatimin e reformave në fushën e drejtësisë dhe për forcimin e shtetit ligjor.

Ambasadorja Daviet, pasi e përgëzoi kryetaren Rama-Hajrizi për emërimin në detyrën e re, konfirmoi rëndësinë që ka për stabilitetin e Gjykatës përbërja e plotë e gjyqtarëve dhe shprehu gatishmërinë e Francës për të vazhduar mbështetjen e mëtutjeshme të Gjykatës Kushtetuese në funksion të forcimit të ligjshmërisë në vend.