Njoftim për medie

16.09.2015

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Mr. sc. Arta Rama – Hajrizi, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në Tiranë, të mërkurën, më 16 shtator 2015.

Kryetarja Rama – Hajrizi u prit nga homologu i saj, z. Bashkim Dedja, i cili fillimisht e përgëzoi për zgjedhjen në krye të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe i uroi suksese në detyrën e re.

Gjatë bashkëbisedimit, të dy kryetarët trajtuan tema të ndryshme me interes reciprok, duke pasur në fokus mënyrën e organizimit dhe vendimmarrjen në gjykatat kushtetuese të të dyja vendeve, ngritjen e kapaciteteve profesionale nëpërmjet shkëmbimit të përvojave, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Në takim u diskutua gjerësisht edhe për përpjekjet e vazhdueshme që po bëhen për anëtarësimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Konferencën Evropiane të Gjykatave Kushtetuese, me ç’rast kryetari Dedja shprehu hapur përkrahjen dhe zotimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për të vazhduar angazhimin në mbështetje të këtyre përpjekjeve.

Të dy kryetarët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm me projekte të përbashkëta dhe me shkëmbim idesh, në përpjekje për të tejkaluar sfidat aktuale në forcimin dhe konsolidimin e gjyqësisë kushtetuese sipas standardeve evropiane.