Njoftim për medie

17.06.2015

Të martën, më 16 qershor 2015, në sallën “Beethoven” të hotelit “Emerald” në Prishtinë, u mbajt ceremonia lamtumirëse e organizuar me rastin e përfundimit të mandatit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, prof. dr. Enver Hasani.

Në ceremoni morën pjesë ministra dhe zyrtarë të lartë shtetërorë, ambasadorja e SHBA-ve, Tracey Ann – Jacobson, dhe ambasadorë të tjerë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, si dhe delegacionet e nivelit më të lartë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, të Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, të Gjykatës Kushtetuese të Polonisë, të Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi dhe të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë.

Me fjalë rasti, pjesëmarrësve në këtë ceremoni, iu drejtuan: kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, prof. dr. Enver Hasani; kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, prof. dr. Fejzullah Hasani; kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim Dedja; kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, prof. dr. Dimitar Tokushev; si dhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, znj. Elena Gosheva.

Me fjalimin e lexuar në emër të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, prof. dr. Gerhard Holzinger, pjesëmarrësve në ceremoni iu drejtua edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Dr. Johann Brieger, i cili ndër të tjera tha: ”Në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, profesor Hasani ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zbatimin e Kushtetutës së miratuar në vitin 2008. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka kryer detyrën e saj në një mënyrë vërtet të mrekullueshme. Një pjesë e konsiderueshme e suksesit të arritur është rrjedhojë e profesor Hasanit si kryetar i kësaj Gjykate”.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim Dedja, tha se “emri i profesor Hasanit më lidhet me Gjykatën Kushtetuese, pasi e pati fatin të jetë kryetari i parë, të hedhë bazat dhe themelet e drejtësisë kushtetuese në shtetin e ri të Kosovës, njëkohësisht në rritjen e standardeve dhe të nivelit në gjykimin kushtetues”.

E, homologu i tij nga Gjykata Kushtetuese e Bullgarisë,  prof. dr. Dimitar Tokushev, në fjalimin dedikuar kryetarit Hasani, ndër të tjera tha: “Nën drejtimin tuaj, Gjykata Kushtetuese është themeluar si organ i pavarur për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore kushtetuese të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Duke iu falënderuar përpjekjeve tuaja, Gjykata Kushtetuese u shndërrua në një institucion kushtetues shtetëror, i respektuar në shoqëri dhe i njohur ndërkombëtarisht”.

Në frymë të njëjtë folën edhe kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, prof. dr. Fejzullah Hasani, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, znj. Elena Gosheva, si dhe kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, prof. dr. Xhezair Zaganjori, në mungesë të të cilit fjalimin e lexoi gjyqtari i kësaj gjykate, z. Admir Thanza.

Në fund të ceremonisë, mysafirëve iu drejtua me fjalë rasti kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, prof. dr. Enver Hasani, i cili një falënderim të veçantë ia kushtoi të gjitha shteteve mike dhe donatorëve ndërkombëtarë, si dhe të gjithë gjyqtarëve, vendorë e ndërkombëtarë, dhe gjithë stafit tjetër të Gjykatës Kushtetuese, për punën dhe për mbështetjen ofruar.

Kryetari Hasani, në fund, uroi që gjyqtarët dhe stafi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës “të vazhdojnë më tej në kryerjen me sukses të misionit të shenjtë të gardianit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
 

Video-incizimin e ceremonisë lamtumirëse mund ta shikoni duke klikuar në vegzën e mëposhtme:

https://www.youtube.com/watch?v=AAX29dY4_mI