Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Enver Hasani, priti në takim një delegacion nga Këshilli Shtetëror i Francës, i prirë nga kryetari i Seksionit të studimeve dhe të raporteve, znj. Maryvonne de Saint Pulgent, të hënën, më 9 mars 2015.
Gjatë takimit, kryetari Hasani fillimisht e njohu znj. de Saint Pulgent dhe delegacionin francez me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe për bashkëpunimin me institucionet e tjera homologe në rajon dhe më gjerë. Ai veçoi marrëdhëniet e mira bilaterale, posaçërisht me Këshillin Kushtetues të Francës, duke falënderuar shtetin francez për kontributin e dhënë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si dhe për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Znj. de Saint Pulgent, nga ana e saj, çmoi pozitivisht profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe vuri theksin në pavarësinë e domosdoshme të gjyqësorit, si parakusht për zhvillimin e mëtejshëm të shtetit ligjor dhe të demokracisë.
Të dyja palët shprehën vullnetin e përbashkët për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok.