Njoftim për medie

24.09.2010

Gjatë sesionit të mbajtur më 22 shtator 2010, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe votoi në lidhje me tri rastet në vijim:
Në Rastin KI 56/09, “Fadil Hoxha dhe 59 të tjerë kundër Kuvendit Komunal të Prizrenit”, Gjykata shqyrtoi dhe vendosi me shumicë votash që kërkesa është e pranueshme. Gjykata gjithashtu njëzëri konstatoi që ka shkelje të së drejtës së parashtruesve të kërkesës, të garantuar me Nenin 52 (2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në Rastin KI 06/10, “Valon BISLIMI kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë”, Gjykata shqyrtoi dhe njëzëri vendosi që kërkesa është e pranueshme. Gjykata gjithashtu njëzëri konstatoi që ka shkelje të së drejtës së parashtruesit të kërkesës, e drejta për lëvizje të lirë, e garantuar me Nenin 35 (2) të Kushtetutës në lidhje me Nenin 2 të Protokollit nr. 4 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Praktika e bazuar në Memorandumin e mirëkuptimit të 21 gushtit 2008, e zbatuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe gjykata komunale, ia parandalon parashtruesit të kërkesës të gezojë të drejtën për mjete efektive ligjore në kundërshtim me Nenin 54 të Kushtetutës. Ministria e Punëve të Brendshme duhet të vendos në lidhje me kërkesën e parashtruesit, të paraqitur më 27 prill 2009 për tu pajisur me pasaportë, në pajtim me Ligjin për dokumentet e udhëtimit në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.

Në Rastin KI 47/10 “Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës kundër Shkëlqesisë së tij, Fatmir Sejdiu, President i Republikës së Kosovës”, Gjykata konstatoi, me shumicë votash, se kërkesa e dorëzuar më 25 qershor 2010 është e pranueshme. Gjykata gjithashtu konstatoi se ka shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës, respektivisht të Nenit 88 .2, nga Shkëlqesia e tij, Fatmir Sejdiu, duke mbajtur njëkohesisht postin e Presidentit të Republikës dhe të kryetarit të partisë politike “Lidhja Demokratike e Kosovës” (LDK).

Tekstet e plota të aktgjykimeve do t’u dërgohen palëve së shpejti.