Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-II-12-0126, të 21 prillit 2016

Nr. të lëndës KI 115/16

Përmbledhje

KI 115/16 Parashtrues: Branko Ljumović, Ranko Ljumović dhe Anica Vukićević-Ljumović, të cilët kërkojnë vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-II-12-0126, 21 prillit 2016

KI 115/16, aktgjykimi i 29 majit 2018, i publikuar më 19 qershor 2018

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kontest pronësor, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, kërkesë e pranueshme, është shkelur e drejta e parashtruesve për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, u është mohuar e drejta e parashtruesve për një vendim gjyqësor të arsyetuar

Parashtruesit e kërkesës e kontestojnë Aktgjykimin [AC-II-12-126] e 21 prillit 2016 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit) në lidhje me Aktgjykimin [C. nr. 2021/2007] të 29 korrikut 2010 të Gjykatës Komunale në Prishtinë.

Kolegji i Apelit përmes Aktgjykimit të kontestuar [AC-II-12-126] e aprovoi ankesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe e anuloi Aktgjykimin [C. nr. 2021/2007] e Gjykatës Komunale në Prishtinë, i cili kishte konfirmuar të drejtat pronësore të parashtruesëve të kërkesës.

Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e garantuara me a) nenin 24 të Kushtetutës, sepse sipas pretendimit, Kolegji i Apelit i kishte vendosur ata në pozitë të pabarabartë duke vepruar kundër vetë praktikës së saj gjyqësore; b) nenin 31 të Kushtetutës, sepse Aktgjykimi i Kolegjit të Apelit nuk ishte arsyetuar në raport me pretendimet thelbësore të parashtruesve të kërkesës dhe për më tepër që, me kalimin e afatit ligjor për ankesë, Aktgjykimi i Gjykatës Komunale ishte bërë res judicata; dhe c) nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokolit nr. 1 të KEDNJ-së, sepse sipas pretendimit, me plotfuqishmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Komunale, ata kishin fituar edhe “pritjet legjitime” për të drejtën e pronës, të definuara mbi bazën e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe pasi shqyrtoi pretendimet e parashtruesëve të kërkesës, konstatoi se Kolegji i Apelit, duke mos i arsyetuar pretendimet thelbësore të parashtruesve të kërkesës rreth afatshmërisë së ankesës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit, si rezultat i së cilës e anuloi Aktgjykimin e Gjykatës Komunale, ka shkelur të drejtën e parashtruesve të kërkesës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Si rezultat i kësaj shkeljeje, parashtruesit e kërkesës u privuan nga e drejta e tyre për vendim të arsyetuar gjyqësor.

Parashtruesit:

Branko Ljumović, Ranko Ljumović dhe Anica Vukićević-Ljumović

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile