Aktgjykim

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, AC. nr. 2812/2016, të 9 dhjetorit 2016

Nr. të lëndës KI 47/17

Shkarko:
Përmbledhje

KI47/17, Parashtrues Selvete Aliji, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, AC. nr. 2812/2016, të 9 dhjetorit 2016

KI47/17, Aktgjykim, shkelje e nenit 31 të Kushtetutës, i 21 nëntorit 2018, publikuar më 28.12.2018

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazi e armëve, shkelje kushtetuese

Më 11 mars 2016, sipas pohimeve të parashtrues, e njëjta ka shkuar në Zyrën e Gjendjes Civile për të nxjerrë një ekstrakt dhe nga ekstrakti i marrë ka mësuar se gjendja e saj martesore ka ndryshuar dhe se “në regjistrin qendror të gjendjes civile evidentohet si e shkurorëzuar”.  Në Zyrën e Regjistrit Qendror të Gjendjes Civile në Prishtinë, pas kërkesës për sqarim, ka marrë kopjen e Aktgjykimit C. nr. 280/2014, të datës 16 tetor 2015, nga i cili konstatohej se martesa e saj me ish-bashkëshortin ishte zgjidhur me aktgjykim nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Meqë nuk ka pasur asnjë dijeni për aktgjykimin për zgjidhje të martesës, ajo ka filluar një proces gjyqësor për përsëritje të procedurës.

Me Aktvendimin CN. nr. 49/2016, të 13 qershorit 2016, gjyqtari individual, hodhi poshtë si të palejuar kërkesën e parashkrueses për përsëritje të procedurës. Në arsyetimin e këtij aktvendimi theksohet se neni 88 i Ligjit për Familjen ka paraparë se “nëse martesa është zgjidhur ose është anuluar me aktgjykimin e formës se prerë”.

Gjykata e Apelit e Kosovës, më 9 dhjetor 2016, me Aktvendimin Ac. nr. 2812/2016, refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtrueses, ndërsa e vërtetoi Aktvendimin CN. nr. 49/2016 të po kësaj gjykate, të nxjerrë në shkallë të parë.

Parashtruesja, në Gjykatën Kushtetuese, pretendoi shkeljen e nenit 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës lidhur me nenin 6 të KEDNJ-së [E drejta për një proces të rregullt].

Gjykata, pas shqyrtimit të kërkesës, konstatoi se “zhvillimi i procedurës gjyqësore pa prezencën a palës së paditur (parashtrueses) dhe nxjerrja e aktgjykimit për zgjidhjen e martesës pa asnjë njoftim për parashtruesen, kanë shkelur garancitë e nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6 të KEDNJ dhe, në këtë rast, gjeti se ka shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, shfuqizoi të gjitha vendimet gjyqësore që kanë të bëjnë me parashtruesen në këtë çështje juridike dhe urdhëroi procedurë të sërishme duke kërkuar njëkohësisht respektimin e të drejtave kushtetuese të parashtrueses sikur janë cekur në Aktgjykim.

Parashtruesit:

Selvete Aliji

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile