Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 5 shkurt 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesat: 1. KI 100/19; 2. KI 85/19; 3. KI 09/19; 4. KI 53/19; 5. KI 118/19; 6. KI 142/19; 7. KI 126/18; 8. KI 194/18; 9. KI 184/19; 10. KI 218/19 dhe 11. KI 57/18. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të aktvendimeve dhe të aktgjykimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):
1. Vendim
Lënda: KI 100/19
Parashtrues: Bedri Gashi, si përfaqësues i pretenduar i Q.B., F.G., T.M., Z.B. dhe B.B.
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së: 1. Veprimeve të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Pejë; 2. Veprimeve të Komunës së Klinës dhe procedurat që zhvillohen në Gjykatën Themelore në Pejë – Dega në Klinë, rrjedhimisht duke mos specifikuar ndonjë akt konkret të një autoriteti publik.
Në kërkesën e parashtruar, përfaqësuesi i pretenduar nuk ka qartësuar saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës pretendon t’i jenë cenuar nëpërmjet ndonjë akti të një autoriteti publik.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe në rregullin 35 [Tërheqja, hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 22.4 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në pajtim me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, vendosi të refuzojë kërkesën.
2. Aktvendim
Lënda: KI 85/19
Parashtrues: Bujar Shabani
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [E. Rev. nr. 6/2019], të datës 15 prill 2019, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet: 3 [Barazia para ligjit], 21 [Parimet e përgjithshme], 24 [Barazia para ligjit], 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], 46 [Mbrojtja e pronës] dhe 53 [Interpretimi i dispozitave për të drejtat e njeriut] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 Protokolli 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 22 [Procedimi i kërkesës] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, dhe me rregullat 39 (2), 42, 57 dhe 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.
3. Aktvendim
Lënda: KI 09/19
Parashtrues: Leutrim Hajdari
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë – Dega në Klinë [C. nr. 239/2017], të datës 6 shtator 2018. Në kërkesën e tij, parashtruesi nuk saktësonte se cilat të drejta dhe liri kushtetuese ai pretendon t’i jenë shkelur, por kërkonte nga Gjykata që të interpretojë dhe vlerësojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e procedurës së shkurorëzimit të iniciuar prej tij, në Gjykatën Themelore në Pejë – Dega në Klinë.
Kërkesa bazohej në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47.2 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, dhe me rregullin 39 (1)(b) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.
4. Aktvendim
Lënda: KI 53/19
Parashtrues: Muharrem Mehmeti
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ-UZVP.nr.62/2018], të datës 5 dhjetor 2018, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet: 21 [Parimet e përgjithshme], 24 [Barazia para ligjit], 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja gjyqësore e të drejtave] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me nenin 7 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 22 [Procedimi i kërkesës] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.
5. Aktvendim
Lënda: KI 118/19
Parashtrues: Pashk Mirashi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 71/2019], të datës 20 mars 2019, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 3 [Barazia para ligjit], 16 [Epërsia e Kushtetutës], 21 [Parimet e përgjithshme], 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], 32 [E drejta për mjete juridike] dhe 49 [E drejta e punës dhe ushtrimit të profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me nenet 6 e 7 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike Sociale dhe Kulturore (E drejta për punë).
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (1)(d), 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.
6. Aktvendim
Lënda: KI 142/19
Parashtrues: “Ge Group sh.p.k.”
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [E.Rev.nr.9/2019], të datës 23 maj 2019, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac.nr.238/2016], të datës 9 nëntor 2018. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me këtë aktgjykim i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet: 24 [Barazia para ligjit], 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja gjyqësore e të drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në nenet 113.7 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] dhe 21.4 [Parimet e përgjithshme] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenet 113.7 dhe 21.4 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.
7. Aktvendim
Lënda: KI 126/18
Parashtrues: Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr.197/2018], të datës 13 qershor 2018, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac.nr.1870/13], të datës 16 mars 2018, dhe me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil [C.nr.324/2008], të datës 2 prill 2013. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me këtë aktgjykim i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me paragrafin 2 të nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejt i marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare], me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], me nenin 53 [Interpretimi i dispozitave për të drejtat e njeriut], me nenin 46 [Mbrojtja e pronës] dhe me nenin 54 [Mbrojtja gjyqësore e të drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e përgjithshme] dhe paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, dhe me rregullat 39 (1)(d) e 39 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.
8. Aktvendim
Lënda: KI 194/18
Parashtrues: Kadri Muriqi dhe Zenun Muriqi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev.nr.157/2018], të datës 4 korrik 2018, në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac.nr.2743/2016], të datës 25 janar 2018 dhe me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm [C.nr.896/12], të datës 18 maj 2016. Parashtruesit e kërkesës pretendonin se me këtë aktgjykim u janë shkelur të drejtat e tyre të garantuara me nenet: 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], 46 [Mbrojtja e pronës] dhe 54 [Mbrojtja gjyqësore e të drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), si dhe me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, dhe me rregullat 39 (1)(d) e 39 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.
9. Aktvendim
Lënda: KI 184/19
Parashtrues: Naser Gashi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 220/2019], të datës 10 korrik 2019, në lidhje me aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac.nr. 1803/19], të datës 25 prill 2019, dhe me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë [C.nr. 532/19], të datës 5 mars 2019. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me këtë aktvendim i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në nenet 113.7 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] dhe 21.4 [Parimet e përgjithshme] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.
10. Aktvendim
Lënda: KI 218/19
Parashtrues: Shani Morina
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac. nr. 2451/19], të datës 2 korrik 2019, me të cilin parashtruesi pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenin 47 të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 29 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 39 (1)(c) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.
11. Aktvendim
Lënda: KI 57/18
Parashtrues: Hajriz Ferizi
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [Ac.nr.5434/2012], të datës 14 shkurt 2018, me të cilin parashtruesi pretendonte se i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 24 [Barazia para ligjit] dhe nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, vendosi se kërkesa është e papranueshme.