Udhëzuesi i Gjykatës Kushtetuese mbi kriteret e pranueshmërisë për kërkesat individuale

25.04.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar “Udhëzuesin Praktik mbi kriteret e pranueshmërisë: Kërkesat individuale”, i cili për qëllim ka informimin e palëve parashtruese, përfaqësuesit e tyre dhe komunitetin juridik në përgjithësi, mbi kriteret e pranueshmërisë së kërkesave individuale të parashtruara në gjykatë.

Përderisa numri i kërkesave të regjistruara në baza vjetore dhe kompleksiteti i rasteve në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese sa vjen e rritet, ndër vite është paraqitur një trend gati i përsëritur i numrit të kërkesave të shpallura të papranueshme në raport me ato që janë vendosur në merita.

Sa për ilustrim, në vitin që lamë pas, Gjykata ka vendosur me Aktgjykime në 33 raste, ndërsa ka nxjerrë 147 Aktvendime për papranueshmëri. Ngjashëm, në vitin 2022, janë nxjerrë Aktgjykime në 20 raste, ndërsa 134 raste të tjera janë vendosur me Aktvendime për papranueshmëri. Në vitin 2021, 32 kërkesa ishin vendosur me Aktgjykime, ndërsa në 176 raste Gjykata ka vendosur me Aktvendime për papranueshmëri. Duke qenë se rreth 90% të kërkesave në shqyrtim para Gjykatës janë kërkesa individuale, shumica dërmuese e Aktvendimeve për papranueshmëri ndër vite, i referohen pikërisht kërkesave individuale.

Përderisa ky trend mund t’i atribuohet faktorëve të ndryshëm, në Planin Strategjik të Gjykatës Kushtetuese (2021-2025), Gjykata ka përcaktuar si qëllim strategjik rritjen e cilësisë së vendimeve dhe efikasitetit të vendimmarrjes, duke e identifikuar edhe ngritjen e kapaciteteve të jashtme sa i përket çështjes së pranueshmërisë së kërkesave.

Përmes këtij publikimi që do të përditësohet në baza të rregullta, Gjykata synon që t’i ofrojë palëve parashtruese dhe sidomos komunitetit juridik, një burim që kodifikon dhe shtjellon praktikën gjyqësore të Gjykatës për sa i përket kritereve të pranueshmërisë së kërkesave individuale, siç përcaktohen në Kushtetutë dhe detajohen më tej përmes Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës.

Përmes shtjellimit të praktikës gjyqësore të Gjykatës, që ndërlidhet me kriteret e pranueshmërisë së një kërkese individuale të parashtruar përkitazi me paragrafin 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, ky Udhëzues, mes tjerash, synon (i) t’i udhëzojë parashtruesit e kërkesave dhe/apo përfaqësuesit e tyre ligjor lidhur me përgatitjen e kërkesave; (ii) uljen e numrit të kërkesave të parashtruara në Gjykatën Kushtetuese, të cilat nuk i plotësojnë kriteret procedurale për t’u shqyrtuar në merita; dhe për rrjedhojë (iii) rritjen e numrit të kërkesave të pranueshme, të cilat mund t’i nënshtrohen vlerësimit të mëtejmë në merita.

Marrë parasysh rëndësinë e të kuptuarit të kritereve të pranueshmërisë nga ana e palëve para Gjykatës, ashtu që kërkesat e tyre të kenë mundësinë t’i nënshtrohen shqyrtimit të mëtejmë në merita, ky Udhëzues praktik ka për qëllim të qartësojë praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese lidhur me interpretimin e kritereve të pranueshmërisë për kërkesat individuale.

Në shtatë kapituj përmbajtjesor dhe duke u mbështetur në praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese dhe me raste, edhe në atë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ky Udhëzues përvijon dhe shtjellon kriteret dhe aspekte të caktuara sa i përket pranueshmërisë së kërkesave individuale. Kriteret e pranueshmërisë së kërkesave individuale, siç burojnë nga Kushtetuta dhe Ligji për Gjykatën Kushtetuese, e që detajohen përmes Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese dhe të ilustruara përmes praktikës gjyqësore, janë paraqitur të organizuara në grupe dhe nëngrupe tematike.

Megjithatë, duhet të theksohet se Udhëzuesi ka natyrë informuese dhe shtjellimet e çfarëdo reference në të, duhet të kuptohen dhe interpretohen në kontekstin e rrethanave faktike dhe juridike të rastit përkatës të vendosur. Përmbajtja e Udhëzuesit nuk është shteruese. Ky dokument shtjellon kriteret e pranueshmërisë bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës, për aq sa e njëjta është e konsoliduar në momentin e publikimit të tij. Lidhur me ato çështje të cilat ende nuk i janë nënshtruar trajtimit të Gjykatës dhe rrjedhimisht praktika gjyqësore e saj, nuk është e shtjelluar, Udhëzuesi i referohet praktikës relevante gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Marrë parasysh natyrën dinamike dhe zhvillimin e vazhdueshëm të praktikës gjyqësore, ky Udhëzues, ashtu siç është rasti edhe me Udhëzuesin e ngjashëm të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, do t’i nënshtrohet përditësimit të vazhdueshëm.

Udhëzuesi praktik është përgatitur nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ndërsa hartimi i tij është mbështetur me kontributin e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe nën angazhimin dhe përkrahjen financiare të Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë.

Për të lexuar “Udhëzuesin Praktik mbi kriteret e pranueshmërisë: Kërkesat individuale” klikoni këtu