Me rastin e përfundimit të mandatit të katër gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese: të zëvendëskryetarit Ivan Çukaloviq, të gjyqtarit Altay Suroy dhe të gjyqtarëve ndërkombëtarë Almiro Rodrigues dhe Snezhana Botusharova, në Prishtinë, të martën, më 12 qershor 2018, u mbajt ceremonia lamtumirëse e organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Në fjalimin e rastit të mbajtur në praninë e përfaqësuesve më të lartë institucional, të gjyqësorit dhe të përfaqësuesve ndërkombëtar në vend, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Arta Rama-Hajrizi, shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e saj për kontributin e jashtëzakonshëm që gjyqtarët Rodrigues, Botusharova, Çukaloviq dhe Suroy, kanë dhënë për vendosjen e themeleve të gjyqësisë kushtetuese në Republikën e Kosovës.
“Me përfundimin e përnjëhershëm të mandatit të katër gjyqtarëve të grupit të parë të emëruar pas themelimit, Gjykata Kushtetuese dhe gjyqësia kushtetuese e Kosovës në përgjithësi, po humbin katër gjyqtarë dhe ekspertë të jashtëzakonshëm të fushës. Zëvendësimi i gjyqtarëve me kësi kualitete profesionale dhe me përvojë kaq të gjatë në lëmin e së drejtës kushtetuese, nuk ka dyshim se do të jetë një proces mjaft sfidues dhe i vështirë për të gjithë ne”, ka thënë, ndër të tjera, kryetarja Rama-Hajrizi në fjalimin e mbajtur.
Për kontributin e dhënë në themelimin dhe në avancimin profesional të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës gjatë mandatit të tyre nëntëvjeçar, gjyqtarët ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese, z. Almiro Rodrigues dhe znj. Snezhana Botusharova, janë dekoruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, në një ceremoni solemne të zhvilluar në Zyrën e Presidentit, të premten, më 8 qershor 2018. Me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, Presidenti Thaçi dekoroi edhe ish-gjyqtarin ndërkombëtar të Gjykatës Kushtetuese, z. Robert Carolan, i cili ishte anëtar i Gjykatës deri në shtator të vitit 2016.