Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës vizituan Gjykatën

15.07.2022

Një grup studentësh të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të shoqëruar nga përfaqësuesit e organizatës joqeveritare “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS)”, qëndruan për vizitë në Gjykatën Kushtetuese. Ata u pritën në takim nga gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Remzie Istrefi – Peci dhe Juriskonsulti i Gjykatës, z. Sevdail Kastrati.

Gjatë takimit me studentë, gjyqtarja Istrefi – Peci bëri një prezantim të shkurtër përkitazi me përbërjen dhe strukturën organizative të Gjykatës, rolin dhe funksionin e saj, palët e autorizuara për parashtrimin e kërkesave, procesin e përgatitjes së raporteve paraprake nga këshilltarët dhe gjyqtarët e rastit, si dhe rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vend.

Nga ana e tyre, studentët shprehën interesimin që të informohen më hollësisht përkitazi me numrin e lëndëve që ende janë në procedurë të shqyrtimit nga Gjykata, rastet dhe vendimet më me ndikim në opinion, numrin e aktvendimeve për papranueshmëri, si dhe për mundësitë që i kanë qytetarët e Republikës së Kosovës për t’iu qasur Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.