Mbi 100 përfaqësues të institucioneve kyçe gjyqësore, përfshirë gjykatat, prokuroritë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, si dhe përfaqësues të autoriteteve përkatëse qeveritare, organizatave ndërkombëtare, ambasadave dhe shoqërisë civile, u mblodhën sot në Prishtinë me rastin e konferencës “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu gjyqësor për një përgjigje gjyqësore efektive“.
Organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Qendrën AIRE (mbështetur nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar), ky aktivitet do të përqendrohet në diskutimin rreth zgjidhjeve praktike që do të çonin në zbatimin më të madh të Konventës së Stambollit, përmirësimin e përgjigjes gjyqësore ndaj dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për të siguruar masa efektive dhe të koordinuara për parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre krimeve.
Në hapje të konferencës, Gresa Caka-Nimani, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, tha se “një nga karakteristikat qendrore të Konventës së Stambollit është thirrja për veprim e përgjigje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar ndaj të gjitha formave të dhunës ndaj grave”, duke shtuar se konferenca e sotme do të “shërbejë si një platformë për reflektim për obligimet pozitive të Republikës së Kosovës, në kuadër të barazisë gjinore dhe parandalimit dhe luftimit efektiv të dhunës me bazë gjinore”.
“Diskutimi i hapur është mundësi e identifikimit të të arriturave, sfidave dhe zgjidhjeve. Gjithashtu, moment reflektimi për histori të trishta të grave kosovare që i janë nënshtruar dhunës së vazhdueshme në familje, përfshirë dështimit të autoriteteve shtetërore për të mbrojtur të drejtën e tyre në jetë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ngërthen vlerat dhe standardet më të larta në kontekst të të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë barazinë gjinore. Jetësimi i tyre efektiv në praktikë është i mundur vetëm përmes përkushtimit të palëkundur për bashkëpunim e dialog dhe përmes avancimit të vazhdueshëm të mekanizmave që mundësojnë zbatimin e plotë të detyrimeve që burojnë nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa e Stambollit”, tha Kryetarja Caka-Nimani.
Ndërsa, Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë dhe Koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, theksoi se: “Për herë të parë, institucionet e Republikës së Kosovës kanë marrë përsipër përgjegjësitë që kanë në raport me adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Në këtë rast konsideroj që për të pasur sukses në përpjekjen tonë, asnjë nga hallkat nuk duhet të dështojë përndryshe do të ballafaqohemi sërish me vrasje dhe shkeljen e të drejtave të viktimave”.
Më tutje, ajo nënvizoi se: “Duhet të bëjmë çmos që secila viktimë apo secila vajzë e grua që potencialisht mund të jetë e dhunuar në të ardhmen ta dijë që e ka mbështetjen e plotë institucionale por edhe shoqërore dhe jo e kundërta sepse kjo edhe ndihmon në raportim të dhunës dhe jo heshtje por edhe në parandalim të këtyre rasteve, gjithnjë nëse vendimet ndaj dhunuesve janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, pra meritore”. “Edhe nga kjo Konferencë bëj thirrje që normat shoqërore që shpesh arsyetojnë dhunën, të luftohen dhe që secili institucion përgjegjës ta kryejë me profesionalizmin më të lartë, obligimin që ka, e në rast të dështimit, të merren masat të cilat jam e bindur që do të disiplinojnë në të ardhmen secilin zyrtarë pavarësisht institucionit”, tha Ministrja Haxhiu.
Biljana Braithwaite, Drejtore e Programit për Ballkanin Perëndimor të Qendrës AIRE, theksoi se ndërsa vendet në rajon kanë miratuar ligje dhe standarde ndërkombëtare kundër dhunës, zbatimi joefektiv i tyre ende i lë gratë të cenueshme.
“Hulumtimi ynë tregon se ka shkelje të rënda të të drejtave të grave, të pranishme në një numër të madh të rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe femicideve në rajon. Gratë janë më së shpeshti më pak të sigurta brenda shtëpive të tyre dhe dhunuesit janë, në shumicën e rasteve, personat më të afërt me ta, p.sh., anëtarët e familjes ose partnerët e tyre. Për më tepër, çdo krizë e re sociale, ekonomike apo shëndetësore, çon në një shpërthim të ri dhune”, tha Braithwaite.
Në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022 janë kryer njëzet femicide dhe katër tentativa për femicide, dhe pothuajse në të gjitha rastet viktimat janë vrarë nga bashkëshortët e tyre, thuhet në raportin “Femicidi në Republikën e Kosovës: Korniza ligjore dhe praktika gjyqësore (2018– 2022)”, prezantuar në konferencën e sotme.
Tankut Soykan, Zëvendësshef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, theksoi se në nëntor të vitit 2022, Këshilli i Evropës publikoi një raport mbi “Vlerësimin e përafrimit të ligjeve, politikave dhe masave të tjera lokale me standardet e Konventës së Stambollit”, i cili zbatoi metodologjinë e GREVIO-s. Raporti i vlerësimit përmban gjetje për çdo nen të Konventës së Stambollit dhe paraqet rekomandime dhe hapa konkretë për përafrim të mëtejshëm me Konventën e Stambollit. Raporti i vlerësimit njeh progresin që është bërë, por gjithashtu identifikon fushat ku nevojitet më shumë punë dhe ku duhet të ndërmerren më shumë veprime, në disa raste edhe urgjentisht.
“Këshilli i Evropës, si organizata kryesore ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Evropë, po punon ngushtë me autoritetet lokale, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, për të përmirësuar përgjigjet e drejtësisë ndaj dhunës ndaj grave në përputhje me standardet e Konventës së Stambollit dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, tha Soykan.
Në konferencë, fjalimet kryesore u mbajtën nga ekspertët ndërkombëtarë, Dunja Mijatovic, Komisionere për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, dhe Robert Spano, ish-President i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kryetar i Bordit të Mbrojtësve të Kampionëve Gjinor në Rrjetin Gjyqësor, ku u trajtuan strategjitë efektive për përdorimin e instrumenteve ndërkombëtare për të trajtuar dhunën ndaj grave dhe femicidin në nivel kombëtar.