Njoftim për vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 3 shkurt 2021

03.02.2021

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 3 shkurt 2021, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat: 1. KI 86/18; 2. KI 98/19; 3. KI 132/19; 4. KI 213/19; 5. KI 24/20; 6. KI 30/20 dhe KI 31/20; dhe 7. KI 59/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Lënda: KI 86/18
Parashtrues: Slavica Đordević

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [CA.nr.2093/2017], të datës 29 janar 2018, me të cilin parashtruesja e kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat e saj kushtetuese të garantuara me nenet: 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenin 6 paragrafi 1 [E drejta për gjykim të drejtë], nenin 13 [E drejta për mjete efektive juridike], nenin 1 të Protokollit nr. 1 [Mbrojtja e pronës] dhe nenin 14 [Ndalimi i diskriminimit] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), si dhe me nenet 2, 8, 10 dhe 17 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesja e kërkesës kërkoi po ashtu që identiteti i saj të mos zbulohet, ndonëse pa dhënë ndonjë arsye specifike.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, në nenet 22 dhe 47 të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 59 (1) të Rregullores së punës,

VENDOS

I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;

II. TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje të nenit 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 dhe 13 të KEDNJ-së;

III. TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së;

IV. TË KONSTATOJË se Vendimi i KÇPB-së, i datës 30 prill 2005 dhe Aktgjykimi i Gjykatës Komunale në Prizren P.br.462/10, i datës 21 dhjetor 2011, janë vendime të formës së prerë dhe si të tilla duhet të përmbarohen nga autoritetet publike përgjegjëse;

V. TË SHFUQIZOJË Aktvendimin [CA.br.2093/2017] e Gjykatës së Apelit, të datës 29 janar 2018, dhe Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren [I.br.1241/12], të datës 27 shkurt 2017;

VI. TË URDHËROJË Gjykatën Themelore në Prizren, që në pajtim me rregullin 66 të Rregullores së punës së Gjykatës, ta njoftojë sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 3 (tre ) muaj, respektivisht deri më datën 3 maj 2021, Gjykatën Kushtetuese në lidhje me masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të kësaj Gjykate;

2. Lënda: KI 98/19
Parashtrues: Kompania e sigurimit “EUROSIG SH. A.”

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [E. Rev. nr. 39/2018], të datës 8 janar 2019, me të cilin ishte refuzuar kërkesa për revizion e parashtruesit të kërkesës kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [AE. nr. 91/2016], të datës 31 gusht 2018. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me vendimin e kontestuar i janë cenuar të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

3. Lënda: KI 132/19
Parashtrues: Korporata Energjetike e Kosovës (KEK)

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ-UZVP. nr. 72/2018], të datës 16 prill 2019, me të cilin pala parashtruese pretendonte se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet: 3 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe me nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në paragrafin 4 të nenit 21 dhe në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, në nenin 47 të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2) e 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

4. Lënda: KI 213/19
Parashtrues: Atdhe Dema

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [CML. nr. 11/2019], të datës 9 shtator 2019, me të cilin ishte refuzuar si e pabazuar kërkesa e parashtruesit për mbrojtje të ligjshmërisë ushtruar kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë [C.nr. 3475/18], të datës 28 dhjetor 2018 dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës [AC.nr.2504/19], të datës 31 maj 2019. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me aktvendimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 23 [Dinjiteti i Njeriut] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendonte shkelje të së drejtës për një gjykatë të paanshme, siç garantohet me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 27 [Masat e përkohshme] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 56 [Kërkesa për masë të përkohshme] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (1)(b), 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

5. Lënda: KI 24/20
Parashtrues: “PAMEX SH.P.K”

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Departamentit për Çështje Ekonomike të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës [Ae.nr.179/2017], të datës 11 nëntor 2019, lidhur me aktgjykimin e Departamentit për Çështje Ekonomike të Gjykatës Themelore në Prishtinë [III.EK.nr.201/15], të datës 25 maj 2017. Pala parashtruese pretendonte se, me aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Gjykata, në pajtim me nenet 21.4 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 59 (1) të Rregullores së punës,

VENDOS

I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;

II. TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;

III. TË SHPALLË të pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [Ae.nr.179/2017], të 11 nëntorit 2019;

IV. TË KTHEJË Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [Ae.nr.179/2017], të 11 nëntorit 2019, për rishqyrtim në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate;

V. TË URDHËROJË Gjykatën e Apelit që ta njoftojë Gjykatën, në pajtim me rregullin 66 (5) të Rregullores së punës, deri më datën 2 gusht 2021, për masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës;

VI. TË MBETET e përkushtuar në këtë çështje në pajtim me këtë urdhër;

6. Lënda: KI 30/20 dhe KI 31/20
Parashtrues: Sibin Ristić

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së dy aktgjykimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Pronës, aktgjykimit [GSK-KPA-A-239/2015], të datës 20 tetor 2018 dhe aktgjykimit [GSK-KPA-A-238/2015], të datës 15 nëntor 2018. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me vendimet e kontestuara i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (1)(b) 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.

7. Lënda: KI 59/20
Parashtrues: Ramadan Sopaj

Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Pml.nr.319/2019], të datës 10 dhjetor 2019, në ndërlidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës [PAKR.nr.235/2019], të datës 19 qershor 2019 dhe me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë [PM.nr294/2019], të datës 17 janar 2019. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me vendimet e kontestuara i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa bazohej në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 27 [Masa e Përkohshme] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
– Kolegji shqyrtues propozoi që, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 39 (2), 57 (4)(a) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, kërkesa të shpallet e papranueshme.